Një tjetër grabitje është regjistruar mbrëmjen e sotme. Pas grabitjes në Durrës, po rreth orës 20:30 dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një makinë në Thumanë. Pronari i makinës tip ‘Benz’ me targa AA046TA është Admir Kaloshi 33-vjeç nga Kukësi.
Gazetari i Report Tv në Krujë, Julian Shota raporton se Kaloshi kishte ndaluar për të kryer nevojat personale, kur dy personat e maskuar dhe të armatosur i bënë presion që të mos lëvizte duke i marrë makinën.
Informacionet e para nga ngjarja janë kontradiktore dhe nuk dihet nëse grabitja e makinës në Thumanë ka lidhje me ngjarjen në Durrës, nëse janë të njëjtët autorët që mund të kenë grabitur makinën për të humbur gjurmët. Pas denoncimit të pronarit të makinës policia ka ngritur disa postblloqe.
