Sot ndërroi jetë kardiologu i parë matjanë, Besim Hoxha. Qindra banorë të Burrelit dhe fshatrave të Matit, mjekë, kolegë, zyrtarë lokal, i kanë shprehur ngushëllimet e tyre familjes Hoxha dhe kanë theksuar se kontributi i mjekut të palodhur ka qenë mjaft i madh.
Mjeku u lind në Fullqet te Matit. E nisi punën në vitin 1973 në spitalin e Burrelit si mjek i përgjithshëm patolog. Nga viti 1975 deri në Tetor 1976 kreu detyrën e shefit të shëndetësisë në rreth. Nga janari 1978 deri në qershor 1979 kreu specializimin për mjek kardiolog dhe emërohet kardiologu i parë në spitalin e Burrelit. Nga viti 1980 deri me 1984 Hoxha shërbeu si shef i patologjisë dhe nga viti 1985 deri ne 1993 kreu detyrën si drejtor i drejtorisë së mjekimit. Edhe pas daljes në pension ai udhëtonte herë pas here nga Durrësi për në qytetin e Burrelit, për t’u shërbyer atyre.
Mjeku Besim Hoxha gjatë gjithë karrierës së tij tregoi profesionalizëm, kulturë, korrektësi, qytetari. Kudo, jo vetëm në Mat flitet me respekt për mjekun që iu gjend pranë pacientëve deri në momentet e fundit të jetës së tij. /tirananews.al/