Parku i Viroit vetëm 3 kilometra larg Gjirokastrës, është një nga zonat më të bukura të qytetit të gurtë, zonë e cila po tërheq vizitorë të shumtë vendas e të huaj edhe gjatë muajit shtator.
Liqeni i Viroit ofron peizazhe fantastike natyrore, ku përmes një shëtitoreje që lidh qytetin me Parkun, mund të ‘humbisni’ në qetësinë dhe paqen që ofron ky vend.
Përgjatë shëtitores të rinj e të reja bëjnë vrap apo ngasin biçikleta, ndërsa të shumta janë familjet që zgjedhin të bëjnë piknik në një ditë të bukur me diell në parkun e mrekullueshëm. Aty mund dhe të pini një kafe apo të hani një drekë të këndshme falë bareve e restoranteve që ndodhen aty.
Të apasionuarit pas zhytjes kanë mundësi të eksplorojnë një burim, që mendohet se ka lidhje me 4 burime të tjera, Syri i Kaltër, Skotini, liqenin e Kallpaqit dhe Janinës.
Ndryshimet e kryera në parkun e ndodhur në veri-perëndim të qytetit të gurtë, kodrat rreth tij dhe pamja piktoreske me liqenin dhe burimin e Mëmës së Viroit e bëjnë mjaft joshës këtë Monument Natyre, status të cilin e ka përfituar në vitin 1982 dhe vazhdon ta mbajë me krenari.