Partia Demokratike, pas reagimit një ditë më parë të kreut të saj Lulzim Basha ka mbajtur qëndrimin zyrtar përmes sekretarit të përgjithshëm të saj, Gazment Bardhi.
Për Bardhin, rasti i Tahirit tregoi se ERama është “kryeministër, kryeprokuror dhe kryegjykatës nuk ka ndëshkim nga drejtësia, as për krimin, as për politikanët e lidhur me krimin”.
“Saimir Tahiri doli i paprekur nga drejtësia, sepse Edi Rama është peng i dosjeve të korrupsionit dhe i lidhjeve kriminale të tij dhe të familjes së tij, përfshirë Olsi Ramën me laboratorin e kokainës së Xibrakës. Edi Rama ka bërë veprime konkrete dyvjeçare për të prishur dosjen e Saimir Tahirit, për të ndaluar arrestimin e tij dhe dënimin e tij me burg, që nga mbrojtja me imunitet, deri tek largimi I prokurorëve dhe presioni ndaj gjykatësve”, tha Bardhi.
Sipas tij vendimi, “ishte një goditje e rëndë për të gjithë shqiptarët që shpresuar deri në minutën e fundit se drejtësia do të triumfonte, se politikanët e pushtetshëm, më në fund, do të ndëshkoheshin dhe se ligji do të ishte i barabartë për të gjithë”.
Ka vetëm një rrugë për ta ndryshuar këtë realitet që shkel me këmbë dinjitetin e çdo shqiptari që siguron me djersë jetesën e vet dhe të familjes. Kjo rrugë është çlirimi i vendit, i politikës dhe i drejtësisë nga krimi!
