Skuadra e Akhmat Grzonit, ku aktivizohen edhe dy shqiptarët Odise Roshi dhe Bernard Berisha, ia ka dalë të kualifikohet në turin pasardhës të Kupës së Rusisë, pasi ka mposhtur nga ruleta e penalltive ekipin e SKA Khabarovsk. 90 minutat e kohës së rregullt përfunduan me rezultatin e barabartë 1-1.
Golin për skuadrën e Akhmat e realizoi Bernard Berisha i cili u aktivizua në minutën e 66 ndërsa i mjaftuan 9 minuta për të kaluar të tijtë në avantazh. Ndërkohë në kohën shtesë të dyja skuadrat shënuan edhe nga një gol, duke e vendosur ndeshjen nga pika e bardhë e penalltisë, aty ku skuadra e shqiptarëve u tregua më e saktë.
Meritë për këtë patën edhe Berisha me Roshin. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës realizoi penalltinë e parë, ndërsa fieraku mori përsipër goditjen e pestë duke i dhenë kualifikimin ekipit të tij.
