Nëse ishim mësuar që çdo të enjte paradite kishte seancë plenare, tashmë nuk do të jetë më kështu. Jo vetëm që nuk ka seancë por as mbledhje të komisioneve dhe kjo për shkak të rregullores së re të Kuvendit.
Kjo rregullore detyron deputetët t’i drejtohen zonave ku janë zgjedhur për të dëgjuar problemet e qytetarëve. Kuvendi zhvillon punime në seancë plenare për diskutimin e ҁështjeve të evidentuara nga zgjedhësit pasditen e ditës së hënë, që pason javën me veprimtari njohëse me zgjedhësit. Kësisoj, deputetët do të mblidhen pasditen e së hënës së ardhshme në seancë plenare, pikërisht për të diskutuar mbi problematikat me të cilat janë përballur gjatë takimeve me elektoratin përgjatë javës.
Seanca e së hënës, pritet të zgjasë jo më shumë se katër orë. Koha e diskutimeve do ndahet në mënyrë të barabartë mes shumicës dhe pakicës, duke marrë parasysh edhe deputetin e pavarur ose deputetin jashtë grupeve parlamentare.
Gjatë kësaj jave, ligjvënësit, por edhe anëtarët e kabinetit qeveritar janë angazhuar në takime të shumta kryesisht në qarqet Durrës dhe Tiranë, për të ndjekur nga afër pasojat e tërmetit të së shtunës pasdite, nga i cili pati edhe dëme në disa ndërtesa, por fatmirësisht pa prekur jetën e qytetarëve. Nisur nga kjo situatë, pritet që diskutimet në seancën e së hënës së ardhshme të dominohen nga diskutimet mbi përballimin e pasojave të tërmetit të fundjavës së kaluar.
