Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila aktualisht mban detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ka zhvilluar sot një lidhje direkte në Skype, në emisionin ‘Wake up’.
Gjatë kësaj lidhje direkte nga Sarajeva, ndër të tjera Majlinda Bregu është pyetur edhe në lidhje me arsyet e marrjes së një vendimi kaq të rëndësishëm.
“Erdhi një moment nga fundi i verës 2017, ku siç ndodh me nervin tim, thashë që në një vend ku nuk të duan nuk rrihet.
Dhe duke qënë se unë nuk e kam për zakon të përlotem, atëherë vendosa të aplikoj.
Kontakti i parë ka qenë në Bruksel me Komisionin Europian dhe nuk pyeta, por thashë që kam vendosur të kandidoj.
Shqipëria nuk e ka pasur këtë mundësi dhe kjo është hera e parë. Pata kontakt me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Vendosa të jem e qartë, sepse mazhoranca mund të kishte një kandidat.
Ditmiri tha që edhe mandatin e kaluar nuk e morëm dot sepse duhet një kandidat që ta pëlqejnë të gjithë, dhe të njohet edhe nga pala Europiane. Pra ishin të gjithë ingredientët.”, u shpreh Majlinda Bregu.