Priste siguracione false dhe kanë qenë qytetarë të ndryshëm që kanë denoncuar mashtrimin që u është bërë. Një 21-vjeçar nga Dibra është vënë në pranga pasi falsifikonte siguracionet e automjeteve dhe rastet e dokumentuara janë 13.
Policia kishte nisur hetimet prej dy muajsh ndaj F.B, ai mashtronte me sigurimin e policës së sigurimit të automjeteve të qytetarëve që udhëtonin nga Italia për në Shqipëri.
NJOFTIMI I PLOTE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Siguracioni”, për goditjen e falsifikimit të siguracionit të automjeteve.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Finalizimi i operacionit pas një hetimi dymujor mbi bazën e denoncimeve të shumta të qytetarëve, që kishin rënë pre e mashtrimit në Portin e Barit, Itali.
Në pranga 21-vjeçari nga Dibra.
Dokumentohen 13 raste të mashtrimit me Policë Sigurimi për automjete të qytetarëve që udhëtonin nga Italia për në Shqipëri.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës, pas denoncimeve të shumta të qytetarëve që udhëtonin nga Bari, Itali për në Shqipëri me automjete dhe kishin prerë siguracion për automjetet e tyre në portin e Barit, të cilat pas kontrollit nga Policia kishin rezultuar të falsifikuara, referoi materialet në Prokurori dhe regjistroi procedimin penal për zbardhjen e këtyre rasteve.
