Një 26-vjeçare ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua gjatë intervistimit në polici.
E reja dyshohet se kishte gëlltitur një qese me substancë narkotike, ndërsa rrethanat e ngjarjes janë ende nën hetim. Sipas Policisë së Kosovës, ajo ishte ndaluar në Vërmicë së bashku me një person tjetër, pasi dyshoheshin për përfshirje në trafikim të narkotikëve.
Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin, efektivët e policisë gjetën dhe sekuestruan 105.7 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy telefona celularë. Pas intervistimit, personit tjetër të dyshuar, një mashkulli, iu caktua masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa për 26-vjeçaren nisi procedura e marrjes në pyetje në prani të avokatit mbrojtës.
Por, gjatë intervistimit, gjendja shëndetësore e saj u përkeqësua, duke bërë që policia të kërkonte menjëherë ndihmën e shërbimit emergjent të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit. Pasi mori ndihmën e parë në vendngjarje, e reja u transportua në spital për trajtim të mëtejshëm, por rreth orës 01:30 policia u njoftua nga mjekët se ajo kishte ndërruar jetë.
Për zbardhjen e plotë të rrethanave janë angazhuar njësitë hetimore të Policisë në Prizren, Sektori Rajonal i Hetimeve, Inspektorati Policor i Kosovës dhe prokurori kujdestar. Në vendngjarje kanë dalë edhe grupet e Hetuesisë dhe Forenzikës, të cilat kanë kryer veprimet fillestare hetimore.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i 26-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa pritet që hetimet dhe ekspertiza mjekoligjore të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të vdekjes.
