Mbajtja e celularëve nga fëmijët në shkolla pavarësisht urdhrit për t’i ndaluar ato, në jo pak raste i ka kthyer edhe në pre të faqeve me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme për moshën e tyre. Kjo ka detyruar Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që të marrin një tjetër vendim lidhur me procedurat që duhet të ndjekë stafi pedagogjik sapo të konstatojë se një nxënës ndjek faqe të papërshtatshme.
Kështu, çdo mësues, mësuesndihmës dhe çdo punonjës i institucionit arsimor (psikologu, punonjësi social, oficeri i sigurisë dhe sekretari), në rast se në mjediset e institucionit arsimor parauniversitar, publik ose privat, konstaton një nxënës që është duke aksesuar në internet përmbajtje të paligjshme dhe/ose të dëmshme për moshën e tij, ka detyrimin të raportojë pranë drejtorisë së institucionit arsimor, institucionit arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar (në vijim “IAVPAP”), organeve të Policisë së Shtetit dhe strukturave vendore të mbrojtjes së fëmijës, shkruan tirananews.al
Punonjësi i mbrojtjes së fëmijës në bashki ose njësi administrative, pas marrjes së raportimit, ka detyrimin të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për verifikimin e informacionit të dhënë dhe fillimin ose jo të vlerësimit fillestar të rastit.
Pas verifikimit të informacionit dhe vlerësimit fillestar të rastit, punonjësi i mbrojtjes së fëmijës njofton Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës e cila sipas ligjit nr. 18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës” dhe ligjit nr. 2/2017, “Për sigurinë kibernetike” i kërkon autoritetit përgjegjës të marrë masa për bllokimin e aksesit në rrjetet kompjuterike ose ato të informacionit dhe në faqet e internetit.
Punonjësi mbrojtjes së fëmijës organizon takime këshilluese, ndërgjegjësuese me prindërit dhe fëmijën. Në rastin kur vlerësohet se janë të pamjaftueshme seancat e këshillimit ndaj prindërve të fëmijës, punonjësi i mbrojtjes së fëmijës në bashkëpunim me Njësinë e Vlerësimit e Referimit të Rasteve marrin masa për hartimin e planit për aftësim prindëror i cili përmban masa për detyrimin e prindërve për të ndjekur kurse për aftësim prindëror duke marrë në konsideratë përcaktimet e ligjit nr. 18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”. / tirananews.al