Çmimi Nobel në Letërsi për vitin 2019 iu dha austriakut Peter Handke.
Handke, njëri ndër kundërshtuesit e pavarësisë së Kosovës dhe solidarizues me serbët gjatë bombardimeve të NATO-s, është njëri nga dy fituesit e çmimit Nobel për Letërsi, trofe i cili ka ngjallur reagime të forta nga mbarë opinioni publik.
Pas reagimeve të ashpra personaliteteve të jetës politike në Shqipëri e Kosovë, një valë e madhe kritikash nga lexuesit anembanë globit, tronditën rrjetet sociale, faqen e Akademisë së Nobelit dhe fill pas kësaj, një mori artikujsh kundër çmimit të dhënë për Handke, ishin kryetitujt e medieve prestigjoze botërore si Washinton Post, The Guardian, The Journal, El Pais, etj.
Fjalimi i Peter Handke në varrosjen e Slobodan Millosheviçit shkaktoi polemika dhe u përshkrua gjerësisht si një apolog për nacionalizmin ekstrem të djathtë serb.
Në 1999, Salman Rushdie e vlerësoi Handken si fitues të vendit të dytë në kompeticionin “hajvani ndërkombëtar i vitit”, në “The Guardian”, për serinë e apologjive të tij të mbushura me pasion për regjimin genocidial të Sllobodan Milloshevicit.
Por si e pasqyruan mediet botërore këtë lajm?
‘Një zgjedhje shqetësuese’: autorët kritikojnë fitoren e diskutueshme të Nobelit nga Peter Handke-është titulli i prestigjoze britanike “The Guardian”.
Më tej në artikull shkruhet:
“Dramaturgu austriak, me prejardhje sllovene është frymëzuar vazhdimisht nga nacionalizmi i zjarrtë gjatë luftës në Ballkan, ai kishte artikuluar publikisht që muslimanët e Sarajevës kishin masakruar veten e tyre dhe kishin fajësuar për këtë serbët, duke mohuar gjithashtu edhe genocidin e Srebrenicës. Në 2006, ai mori pjesë funeralin e kriminelit Milošević.”
Një tone akoma më të ashpra hapet artikulli i “The Journal”:
‘Skandaloze’: Zemërim pas Çmimit Nobel për Letërsi, i është dhënë mbrojtësit të Slobodan Millosheviçit.
Me ironi therrëse vijon raportimi i lajmit në WPost:
“Peter Handke fiton Nobelin për “artin e tij të madh”. Kritikët thonë se ai është një apologjet për genocid.”
Kur 76-vjeçari Handke kishte fituar çmimin, shumë të tjerë ishin duke kujtuar diçka tjetër: përqafimin e Handke me liderin nacionalist serb Slobodan Milosevic.
Kjo marrëdhënie nxiti një reagim të fortë nga ata që kujtuan dhunën e Serbisë së Millosheviçit. “Ky është vendimi i vetëm më ofendues i mundshëm,” shkroi Petrit Selimi, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, në Twitter. Asad për Çmimin e Paqes?-shkruan Washinton Post., raporton tirananews.al
Pas vendimit të Komitetit të Nobelit për t’i akorduar këtë çmim për Letërsinë shkrimtarit austriak Peter Handke, i njohur si mbështetës i Sllobodan Millosheviçit ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, i cili e quan këtë një veprim të turpshëm që shkakton të vjella.
“Kurrë nuk kam menduar se do të ndjeja të vjella për shkak të Çmimit Nobel. Por paturpësia po bëhet pjesë normale e botës që jetojmë. Fituesi i çmimit Nobel për Letërsinë është një zgjedhje e turpshme e Akademisë Suedeze. Nuk mundet që të jemi kaq të mpirë ndaj racizmit dhe gjenocidit”, shkruan Rama.
Ndërsa kreu i opozitës Lulzim Basha ka shkruar se dhënia e këtij çmimi për Peter Handke është trishtuese për vlerat tona.
Po ashtu edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, është shprehur se Nobeli iu dha “njeriut që qau në varrimin e kasapit të Ballkanit”.
“Nobeli për Letërsi iu dha Peter Handke, glorifikuesit të Millosheviçit, mbështetësit të genocidit kundër shqiptarëve të Kosovës, njeriut që qau në varrimin e kasapit të Ballkanit. Fal Zotit nuk është gjallë Hitleri se Nobelin do e fitonte “Mein Kampf”-i. #TurppërKomitetin“, shkruan ajo.
Pak orë pas ndarjes së çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin austriak, Peter Handke është nisur një peticion online kundër këtij vendimi.
Mijëra nënshkrime janë mbledhur që në orët e para të nisjes së këtij peticioni.
Tirananews.al