Interi ia del të rikthehet te fitorja pas disfatës së fundit ndaj Juventusit. Zikaltërit mposhtën me rezultatin 3-4 Sasuolon, në një takim me shumë emocione. Skuadra e Kontes e kishte në dorë ndeshjen por rrezikoi së tepërmi në minutat e fundit të lojës. Interi e nisi në mënyrë të shkëlqyer takimin teksa Lautaro Martinez kaloi të tijtë në avantazh vetëm pas dy minutash.
Argjentinasi u tregua i saktë me të djathtën duke mos i lënë asnjë mundësi portierit Konsilji. Megjithatë, në minutën e 16 Sasuolo vendosi sërish ekuilibrat me anë të Berardit. Italiani depërtoi në brendësi të zonës, teksa edhe pse në një kënd të ngushtë ia doli të realizonte. Por, Interi shfrytëzoi forcën fizike të Lukakut, i cili ishte i papërmbajtshëm në zonë duke kaluar zikaltërit në avantazh. Pjesa e parë do të kishte vend edhe për një tjetër gol nga Interi, sërish me Lukakun. Këtë herë sulmuesi belg nuk fali nga pika e bardhë e penalltisë. Për t’u përmendur edhe anulimi i dy golave, nga një për secilën skuadër, nëpërmjet sistemit VAR.
Ndërkohë, në fraksionin e dytë, zikaltërit shënuan edhe golin e katërt me Lautaron në minutën e 71. I cili ashtu si Lukaku, nuk gaboi nga penalltia. U duk se sfida u mbyll dhe Sasuolo u dorëzua, por ndodhi e kundërta. Vendasit shkurtuan diferencat 3 minuta më pas, ndërsa pas golit të dytë shënuan edhe të tretin. Por, pavarësisht panikut, Interi ia doli të merrte tre pikët e plota nga transferta dhe qëndron në vendin e dytë, një pikë pas Juventusit kryesues.
