Elvis Kabashi është një emër i njohur për tifozët shqiptarë, për faktin e thjeshtë se disa vite më parë, refuzoi ftesat nga Shqipëria se priste që ta ftonte Italia, meqë ishte pjesë e akademisë së Juventusit.
Sigurisht, ajo ftesë nuk erdhi kurrë dhe lojtari pak nga pak u zhduk nga radarët, duke përfunduar në kategoritë e ulëta italiane e duke luajtur edhe atje me pikatore. Sot në radhët e klubit të Renate, Kabashi do të sfidojë të kaluarën e tij, ekipin U23 të Juventusit që merr pjesë në Serisë C. Mesfushori për më tepër beson se ekipi i Renate është favorit në këtë duel, meqë është mes ekipeve pretendente për ngjitjen në këtë grup.
“Do të kem emocione pasi kam kaluar vite shumë të bukura në Torino, ia kam kaluar shumë mirë. Jam shumë krenar që kam veshur atë fanellë dhe për mua do të jetë ndeshje e veçantë. Do të jetë kënaqësi të takoj pjesëtarët e klubit të cilët ishin në përbërjen e tij edhe në atë periudhë.
A ndjehemi favoritë sot? Nuk e nisim asnjëherë si favoritë, pasi Renate nuk ka mendjemadhësinë që të thotë që në start se është më e fortë pasi duhet ta tregojë në fushë se është. Por klasifikimi thotë që jemi para tyre, edhe pse nuk do të jetë e thjeshtë”, tha ai.