Në draft ligjin e ri të zbardhur nga gazeta “Panorama” në versionin print është parashikuar dhe ngritja e burgjeve private.
Projektligji është miratuar në mbledhjen e kësaj të mërkure të Këshillit të Ministrave dhe tashmë pritet t’i kalojë Parlamentit për diskutim. Sipas këtij projektligji, në nenet 15 e 16 të tij, përcaktohet funksionimi i institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale private.
“Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale janë publike dhe private. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për funksionimin, administrimin, kontraktimin, si dhe rregullat që përcaktojnë elementet e sigurisë në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale”, thuhet në nenin 15. Ndërsa më poshtë sqarohet sesi do të bëhet vendosja e të dënuarve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale private. Por aty theksohet se nuk mund të kryejnë dënimin në këto burgje ata të dënuar, që, me vendim të gjykatave, janë caktuar në institucionet e sigurisë së Lartë.
BURGJET PRIVATE
Sipas projektligjit të miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, të dënuarit që mund të vendosen në burgjet private, duhet të mos jenë të dënuar me më shumë se 5 vjet heqje lirie. “Të dënuarit, për të cilët është vendosur masa e dënimit deri në 5 (pesë) vite burgim, mund të vendosen në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale”, theksohet në pikën 1 të nenit 16 të këtij projektligji.
Më pas, në pikën 2 të tij, sqarohet se kush nuk mund të kryejë dënimin në Institucionet private të Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
“Të dënuarit që me vendim Gjykate janë caktuar në institucionin e sigurisë së lartë, nuk vendosen në Institucionet Private të Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, sqarohet më poshtë.
Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale i sigurisë së lartë është institucioni, ku ekzekutohen vendimet me burgim: për çdo vepër penale të kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur, sipas përcaktimeve të Kodit Penal; për veprat penale, për të cilat Kodi Penal parashikon dënimin me burgim të përjetshëm; për veprat penale të kryera nga përsëritësit, për të cilat Gjykata ka dhënë një dënim jo më të vogël se 15 (pesëmbëdhjetë) vite burgim; për krimet kundër jetës, për të cilat Gjykata ka dhënë një dënim jo më të vogël se 20 (njëzet) vjet burgim; për krimet seksuale me të mitur, sipas përcaktimeve të Kodit Penal.
Përveç sa është parashikuar më sipër, në institucionet e sigurisë së lartë ekzekutohet dënimi edhe ndaj të dënuarve të tjerë, të cilët, në kryerjen e veprës penale ose gjatë ekzekutimit të dënimit, janë karakterizuar nga qëndrime ose sjellje, që bëjnë të pamundur qëndrimin në burgjet e kategorive të tjera.
PJESE NGA DRAFTI
NENI 14
Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale
- IEVP-të, mbi bazën e kategorisë së subjekteve. ndaj të cilave ekzekutohen dënime penale, ndahen në:
a) institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për të dënuarit e rritur;
b) institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për të dënuarit e mitur;
c) institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për gratë;
ç) institucionet e paraburgimit. - Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të ndahen në seksione, sipas nevojës së administrimit.
- Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale ose seksione brenda tyre, mbi bazën e sigurisë, kategorizohen, si më poshtë vijon:
a) Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë;
b) Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së zakonshme;
c) Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së ulët;
ç) Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të hapura. - Përjashtimisht nga rregullat e përcaktuara nga ligji për organizimin dhe funksionimin e organeve të administratës shtetërore, krijimi, klasifikimi dhe mbyllja e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale me burgim apo seksioneve të veçanta në këto institucione bëhen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
NENI 15
Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale private - Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale janë publike dhe private.
- Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për funksionimin, administrimin, kontraktimin, si dhe rregullat që përcaktojnë elementet e sigurisë në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale.
NENI 16
Vendosja e të dënuarve në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Private - Të dënuarit, për të cilët është vendosur masa e dënimit deri në 5 (pesë) vite burgim, mund të vendosen në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale.
- Të dënuarit që me vendim Gjykate janë caktuar në institucionin e sigurisë së lartë, nuk vendosen në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale.
Marre nga gazeta “Panorama”, versioni print
