Zhurma e makinave të vjetra iu rikthye Tiranës në këto ditë të para nëntori, ndërsa nostalgjikët kanë mbushur sheshin “Skënderbej” ku po ekspozohen mjetet historike.
Makinat, një ndërthurje e bukur e traditës, bashkëkohores dhe të vjetrës, janë vizituar nga qytetarë të shumtë që fiksuan në telefonat e tyre fotografi para këtyre makinave.
Aktiviteti “N’GAZ ka mbledhur këto mjete për të festuar 20-vjetorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor në vitin e rimëkëmbjes dhe kthesës drejt modernizimit radikal të shërbimeve të transportit rrugor.
Ky aktivitet i cili ka nisur mbrëmjen e djeshme do të vijojë deri më 3 nëntor ku përveç ekspozimit të mjeteve retro sonte në mbrëmje publiku do të shijojë ritmet Jazz & Swing të cilat do sjellin një atmosferë ndryshe në sheshin “Skënderbej”.
Agjencia Telegrafike Shqiptare ndoqi sot në sheshin “Skënderbej” këtë aktivitet i cili nisi që në orët e para të mëngjes të së shtunës me një parakalim mjaft interesant të mjeteve retro të cilat u nisën që nga Pallati i Brigadave drejt sheshit qendror të Tiranës. Ky parakalim zgjoi jo pak kureshtjen e qytetarëve të shumtë të cilët kanë ndjekur me nostalgji kalimin e këtyre mjeteve.
Mbi këtë event, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor Bledi Gonxhe në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se kjo është një festë e entuziastëve të automobilizmit duke nisur që nga automjetet e deri tek motorët Vespa. “Kjo festë bëhet për të rilidhur shoqërinë me të bukurën e bërë nga njeriu dhe me kujtimet e nostalgjinë që vijnë nga këto mjete të rralla”, theksoi ai.
“Gjithashtu këtu sot janë bashkuar dhe koleksionistët të cilët për shkak të mungesës së rregullave ligjore prej 30 vitesh për këto makina dhe sot ata koleksionistë që nuk i prezantonin dot këto makina janë ftuar këtu sot për t’i pasqyruar ato përpara publikut. Kemi dhe koleksionistë nga Kosova e Maqedonia e Veriut, pra kjo është një ditë e hapur për të gjithë ku dhe qytetarët që po i vizitojnë janë të shumtë”, tha Gonxhe.
Koleksionistët të cilët ekspozonin këto mjete retro, për ATSH-në u shprehën mjaft të kënaqur që tashmë kanë mundësi të prezantojnë këto mjete të cilat për ta kanë një vlerë historike dhe shpirtërore. Gjithashtu, ata e quajtën një dhuratë të çmuar heqjen e taksave për këto makina historike duke filluar nga 1 janari.
Pasioni i tyre për këto makina ka lindur që në fëmijëri dhe e kanë trashëguar dhe sot duke i mirëmbajtur ato me kujdes. Ajo që të binte në sy ishte mirëmbajtja e këtyre makinave të cilat ishin pak a shumë 50-vjeçare.
Ky aktivitet të kthen pas në kohë. Sheshi “Skënderbej” dukej si një ekspozitë e hapur ku makinat historike të japin ndjesinë se po jeton në një tjetër periudhë kohe.
Qytetarët e mbledhur në sheshin “Skënderbej” shprehën nostalgjinë dhe kuriozitetin e tyre për këto makina. Për ATSH-në, ata e cilësuan aktivitetin mjaft të bukur. Makinat retro kanë ngjallur nostalgjinë e më të vjetërve dhe kuriozitetin e më të rinjve.





