Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame ka dalë në një deklaratë për mediat sot, dy ditë pasi Presidenti i Republikës Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Kadastrën.
Lame tha sot se në 14 faqe të Presidencës kundër ligjit nuk kishte asgjë dhe asnjë argument.
Ai i ka numëruar Presidentit Meta, institucionet e rëndësishme në vend që janë pa certifikatë pronësie përfshirë edhe Presidencën.
“Dje Presidenti i Republikës ktheu për shqyrtim ligjin për kadastrën. Zoti Ilir Meta është President i Republikës por godina e Presidentit nuk ka certifikatë pronësie dhe as salla e Kuvendit. As ministria e Jashtme e ndërtuar në vitet 70 nuk ka certifikatë pronësie. As godina e Kryeministrisë e ndërtuar që në kohën e Italsië në 1940 nuk ka certifikatë pronësie. Janë edhe 600 mijë prona private pa regjistruar”, deklaroi Lame.
Ai tha më tej se janë 60 mijë familje që presin legalizimet dhe 40 mijë fermerë që presin të regjistrojnë tokën.
“Si t’jua shpjegojmë hallin e Presidentit 60 mijë familjeve që presin të mbyllin procesin e legalizimeve. Si tua shpjegojmë 40 fermerëve që presin të regjistrojnë tokën. Si tua shpjegojmë 50 mijë familjeve që presin të ligjërojnë banesat e vjetra. Si t’iu themi 2 mln e 800 mijë pronave që presin të rimaten nga themelet se janë lëmsh”, tha Lame.
Në të gjitha këto ai shtoi dhe mauzoleun e Skënderbeut në Lezhë.
“Admiroj aftësinë e Presidencës për të mbushur 14 faqe kundër ligjit të kadastrës dhe të mos thotë asgjë. Kemi që dje që po përpiqemi të gjejmë një argument dhe nuk po ia dalim dot. Sot është 551-vjetori i vdekjes së Skënderbeut ndërkohë që mauzoleu në Lezhë është pa certifikatë pronësie”, u shpreh ai.