73 vjeçari Xhavit Gjuzi nga Qerreti i Kavajës prej tre vitesh fle në natyrë, kryesisht pranë godinës së Albtelecom Burrel. Nga ana e Bashkisë Mat i është afruar ndihmë për ta sistemuar në konviktin e qytetit të Burrelit, por ai e ka refuzuar një gjë të tillë. Zyrtarë të Bashkisë Mat pohuan për Tirananews.al se Gjuzi është shprehur se nuk mund të zbatojë rregullat që ka konvikti, ndaj nuk pranon të strehohet aty.
Gjuzi nuk ka grua e fëmijë dhe jeton i vetëm. Gjatë rrëfimit të tij thotë se ka punuar për 12 vjet si minator në Bulqizë, Batërr, Thekën, Krastë, në punë të ndryshme, vagonist, shinashtrues, sinjalist, ndihmës zjarmëtar, etj.
“Kam vuajtur shumë në jetë, thotë Gjuzi. Kur punoja në minierë vetëm shpirti ma di çfarë kam hequr. Punoja me turne, aty ku puna ishte më e rëndë. Sikur dhe një vit të punoja në minierat e kromit do ta kisha pensionin më të lartë. Por nuk munda të punoj më gjatë dhe tani kam vetëm 6 mijë lekë pension. Ato nuk më dalin as për bukë”.
Fjalët e tij janë prekëse. Është martuar në vitet ’90, por bashkëshortja ka ndërruar jetë dhe ai nuk ka fëmijë. Në vitet e demokracisë është endur herë në Sarandë, herë në Kavajë dhe herë në Burrel. Në Jug të vendit thotë se ka punuar si çoban, por nuk është paguar mirë dhe është detyruar të ikë prej andej.
“Rri këtu në qytetin e Burrelit, pohon Gjuzi, sepse këtu njerëzit janë të mirë dhe nuk të ngacmojnë. As natën dhe as ditën nuk më shqetëson njeri. Kur vete në Durrës apo diku tjetër nuk me lënë rehat. Marr pensionin e kooperativës një herë më muaj dhe ushqehem, kryesisht me bukë thatë. Kafe pi rrallë. Ka raste që pronarët e lokaleve pranë bashkisë më japin ndonjë kafe. Po jetoj ditët më të vështira të jetës time. Jam njeri pa njeri”, shprehet i mërzitur tej mase i moshuari.
I pyetur se ku lahet apo si vepron për rrobat ai tregon se ndoshta një herë në muaj shkon në një nga hotelet e qytetit, paguan fjetjen për një natë dhe aty lan teshat dhe trupin. “Lahem rrallë. Shkoj në një hotel dhe aty laj trupin dhe rrobat. Rrobat i thaj në lulishte, poshtë qytetit. Çfarë të bëj ? Ka raste që gra që banojnë në afërsi të Këndit të Lojrave mi lajnë rrobat. Unë tentoj t’i paguaj por ato nuk pranojnë”, shton Xhavit Gjuzi. Ai ka tentuar të sistemohet në një nga azilet e vendit por kërkesa i është refuzuar nga autoritetet e azileve.
“Kam vajtur në azilin e Beratit, Fierit, Elbasanit, Gjirokastrës dhe kam kërkuar të sistemohem. Nuk më kanë pranuar. Zyrtarët e këtyre azileve më kanë thënë se duhet ta kem pensionin mbi 18 mijë lekë në muaj. Unë marr vetëm 6 mijë lekë në muaj, pension kooperative. T’më kishin pranuar në azil nuk do të flija kështu”, thotë Gjuzi nga Kavaja. /tirananews.al/
