“Partia Demokratike do të ketë në krye të listës çështjen e bujqësisë. 100 milionë euro subvencione dhe ky subvencion do shkojë direkt te fermeri”, tha sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takim me fermerët në Urën Vajgurore.
Basha shpalosi alternativën gjatë bashkëbisedim me fermerët e Urës Vajgurore.
“Të diskutojmë si të dalim nga kjo krizë. Qeveria ka braktisur në mënyrë të turpshme bujqësinë. Subvencionet e pakta që jep kjo qeveri nuk shkojnë për fermerët, por për 4-5 oligarkë. Për interesa mafioze oligarkie po goditet prodhimi vendas duke i hapur portat prodhimeve të importit. Import-eksporti është lënë në duart e një grushti oligarkësh”, tha ai
Po ashtu, Basha tha se “Nga qeveria jonë të gjitha këto probleme që e kanë sjellë bujqësinë në këtë ditë të zezë, do të trajtohen. Nuk do jeni në fund të listës, por në krye të listës së çështjeve për t’u zgjidhur. Unë zotohem se do të jem kështu ulur përherë me ju për t’u dhënë zgjidhje dhe të dilni nga borxhet. Do të ulem e t’ju dëgjoj”.
