Policia italiane bën të ditur se janë arrestuar dy shqiptarë për trafik droge, teksa në garazhi ne një picerie në pronësi të njërit prej tyre u gjet një sasi prej 8 kg kokainë.
Sipas medias italiane shqiptari M.L. ishte pronar i një picerie në zonën e San Leonardo. Së bashku me dyqanin e picerisë ai kishte në pronësi edhe një garazh, në të cilin u gjet dhe sekuestrua sasia e kokainës. M.L. ishte arrestuar edhe një herë më parë në vitin 2008, pasi ishte kapur me 2 kg kokainë, por ishte lënë i lirë.
Tashmë pas disa vitesh, policia kishte marrë informacione për një kthim të mundshëm të tij, sërish në trafikimin e kokainës.
Agjentët konstatuan se shqiptari shpesh takohej me një bashkatdhetar me inicialet C.E., pikërisht në garazhin, që ndodhej në Via San Leonardo.
Gjatë kontrollit në garazh agjentët gjetën 8 kg kokainë të ndarë në tetë pako, të fshehura brenda një kutie kartoni. Brenda makinës së shqiptarit C.E., tip “Fiat 500”, u gjetën edhe disa vende që ishin bërë enkas për transportimin e drogës.
