Ilir Meta ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme një dokument prej 106 faqesh, ku ka renditur kërkesat proceduriale dhe kundërshtimet ndaj provave të administruara nga SPAK në procesin gjyqësor ndaj tij.
Në parashtrimet e depozituara Meta kërkon që gjykata të mos përdorë një sërë provash të prokurorisë, duke pretenduar se një pjesë e dokumenteve nuk janë të njësuara me origjinalin, kanë mangësi në dokumentimin e marrjes ose janë administruar në kundërshtim me afatet hetimore.
Një pjesë e konsiderueshme e kërkesave lidhet me episodin e lobimit politik në SHBA. Meta kërkon që të sigurohen nga autoritetet amerikane kontratat mes ish-LSI-së dhe kompanisë GSIS, dokumentet bankare, faturat, autorizimet për pagesat dhe informacioni mbi shërbimet e kryera nga kompania.
Për akuzat që lidhen me pasurinë dhe deklarimet në ILDKPKI, Meta kërkon informacion mbi metodologjinë e përdorur për kontrollin e pasurive, trajtimin e dietave si të ardhura dhe verifikimet e kryera për deklarimet e tij. Ai kundërshton gjithashtu një pjesë të dokumentacionit financiar të përdorur nga SPAK.
Në lidhje me episodin CEZ-DIA, ish-presidenti kërkon administrimin e dokumenteve të kompanive dhe materialeve të arbitrazhit në Vjenë, duke pretenduar se ato mbështesin qëndrimin e tij se nuk ka ndërhyrë në marrëdhënien mes dy kompanive dhe nuk ka përfituar financiarisht.
Meta kërkon gjithashtu marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga prokuroria, si dhe administrimin e deklarimeve të Monika Kryemadhit.
Një nga pretendimet e fundit lidhet me monitorimin me kamera të takimeve me avokatin e tij, shqetësim i ngritur dhe në seancat gjyqësore. Meta kërkon heqjen e kamerave nga ambienti ku zhvillohen takimet me mbrojtësin e tij, duke pretenduar se cenohet konfidencialiteti i komunikimit.
Lidhur me këto pretendime dhe kërkesa të bëra nga mbrojtja e Ilir Metës pritet të shprehet gjykata.
