Përballë sulmeve gjithnjë e më të shpeshta kibernetike në vend, qeveria po forcon mekanizmat mbrojtës dhe parandalues.
Në mbledhjen e së enjtes të Këshillit të Ministrave, qeveria ka bërë ndryshime në ligjin për sigurinë kibernetike, duke shtuar disa hapa dhe mekanizma të rinj për të mbajtur të sigurta infrastrukturat e sistemeve kritike të informacionit.
Përmes ndryshimeve, krijohet ajo që do të quhet “Inteligjenca Kibernetike”, që është procesi i parë i mbledhjes, shkëmbimit, analizimit dhe vlerësimit të informacionit për evidentimin e kërcënimeve potenciale për sulme kibernetike. Përmes kësaj inteligjence synohet parandalimi, zbulimi dhe reagimi efektiv, në kohën e duhur, ndaj sulmeve të mundshme kundër operatorëve kritikë. Kush nuk i respekton detyrimet, gjobitet.
Sipas projektligjit, Grupi i Bashkëpunimit për Inteligjencën Kibernetike do të përbëhet nga përfaqësues të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, Shërbimit Informativ të Shtetit, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Grupi do të kryesohet nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Mbledhjet do të zhvillohen në mënyrë të rregullt ose të jashtëzakonshme, ndërsa do të jetë Kryeministri ai që do të miratojë rregullat për organizimin dhe funksionimin e Grupit, si dhe procedurat për shkëmbimin ndërinstitucional të informacionit.
Një tjetër ndryshim lidhet me detyrimin e operatorëve të infrastrukturave për të dorëzuar pranë Autoritetit vetëdeklarimin e masave teknike, organizative dhe operacionale të sigurisë kibernetike. Informacioni i paraqitur duhet të jetë i saktë, i plotë dhe i përditësuar.
Kush nuk e zbaton këtë detyrim, do të gjobitet. Për mosdorëzimin në afat të vetëdeklarimit dhe mosdeklarimin e mënyrës së hostimit dhe administrimit të sistemeve, gjobat parashikohen nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë. Ndërsa për paraqitjen e të dhënave të pasakta, të paplota ose të papërditësuara në vetëdeklarim, gjoba varion nga 200 mijë deri në 1 milion lekë.
Gjobat e parashikuara për moszbatimin e masave të kërkuara nga Autoriteti për identifikimin, filtrimin, kufizimin, bllokimin ose neutralizimin e treguesve të komprometimit dhe sulmeve kibernetike variojnë nga 500 mijë deri në 1 milion lekë.
Operatorët ndahen në dy grupe: ekipet sektoriale, që përgjigjen ndaj incidenteve të sigurisë kibernetike, dhe operatori qeveritar, që menaxhon infrastrukturat qeveritare.
Ky ndryshim në projektligj do të kalojë për miratim në Kuvend, ndërsa institucionet kritike vendosen përballë detyrimeve për të reaguar më shpejt dhe në mënyrë të koordinuar ndaj sulmeve të mundshme në vend.
