Nga Arben Rrozhani/
Po përflitet shumë për një video seksi mes një ambasadori të huaj dhe një zyrtareje të administratës shqiptare. Deri tani po mbahet si mjet shantazhi, që thuhet se e ka në dorë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Punë shqiptarësh!
Është një metodë e vjetër dhe e dalëboje, sidomos kur objekt janë diplomatët e huaj në Tiranë. Nuk habit edhe nëse është kreu i Delegacionit të BE-së, Soreca, siç aludoi dje ‘Koha Jonë’. Diplomatët e huaj e kanë bërë rrugë. Patrioti i Soreca-s, Ettore Sequi, ishte në të njëjtin pozicion 8 vite më parë kur u përfol për lidhje intime me femra shqiptare.
Në Tiranë ia këmbenin dy germat e fundit për ta bërë sa më banale këtë histori dhe ‘vesi’ italianit duket se do të dalë me shpirtin, sepse një ngjarje tjetër e ndoqi pak muaj më parë, në vendlindje. Autorja dhe skenaristja e Rai TV, 41 vjeçarja Valentina Pizzale (bashkë në foto) përfundoi dy muaj më parë në arrest shtëpie, me akuzën se përndoqi dhe fyente në çdo orë të ditës, por veçanërisht natën, ish-Ambasadorin e BE-së në Tiranë, tashmë 63 vjeç.
Pizzale i dërgonte ambasadorit mesazhe me tekste të tilla si, ‘do të të shkatërroj’. Në vitin 2017, Ettore Sequi kishte patur një lidhje të shkurtër me autoren e RAI-t dhe pas ndarjes atij iu desh t’u drejtohej autoriteteve gjyqësore për ta mbajtur larg gruan që e mundonte dhe kërcënonte. Sequi është prej disa kohësh shef i kabinetit të Ministrit Italian Luigi Di Maio nga Lëvizja ‘5 yjet’.
Nëse keni dyshime për ‘kalvarin’ e diplomatëve të huaj në Shqipëri, mos u merrni vetëm me shantazhet dhe thashethemet e Tiranës. Lexoni nënkuptimet te romani ‘Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” të Ylljet Aliçkajt, që punoi për disa vite në një përfaqësi të tillë. Aty keni mjaft material të përpunuar prej të cilit mund të nxirrni konkluzionin ‘bruto’ se sa ‘keq’ heqin zyrtarët me imunitet diplomatik për t’ia bërë…nënën popullit shqiptar.