Nga Ylli Pata
Ka dy modele të përgjithshme për të vizatuar revolucionet, së paku në Europë, ngaqë ata të Amerikës Latine revolucion i kanë thënë çdo lufte. Edhe ai Amerikan që solli pavarësinë, revolucion quhet. Megjithatë në teorinë politike revolucioni francez dhe ai rus janë klasikët e studiuar, edhe për arsye që sollën pasoja botërore ku ndryshuan gjithçka.
E në këtë teori të përgjithshme revolucionet kanë fazat e tyre. Ku faza e parë është kriza, e dyta pakënaqësia ekonomikę e socjale, faza e tretë një krizë financiare që o zbraz xhepat e qytetarëve, ose shkakton papunësi massive ose zi buke e gjëra të tilla. Faza e katërt mosbesimi për elitat sunduese e gjëra të tilla.
Këtu nis artikulimi i një ndryshimi; Çfarë duhet të bëhet për ta sjellë vendin në një epokë tjetër. Në rend të parë dalin mendjet e mëdha. Për të ilustruar paksa, ideologu i revolucionit Frances nuk ishte as Marati e aq më pak Roberspieri.
Ishte Volteri e Russoi, iluministët më të mëdhenj të kohës. Që sollën, jo thjesht se idenë se duhet përdorur gijotina për t’i prerë kokën Luigjit të XVI apo Maria Antonietës së gjorë, që nuk dihet a e ka thënë frazën për biskotat, por për të sjellë një Republikë shekullare të ndarë nga feja e ku të bazohehet në postulatin: Liri, Barazi, Vllazëri”.
Natyrisht më pas të elaboruar në librat e tyre që sot janë vlerë botërore. Gijotina dhe ekzekutimet politike sigurisht që i kanë tmerruar ideologët e një shoqërie të lirë e revolucionare. Po kjo është historia e botës.
Për të mos folur për revolucionin e sovjetëve që krijoi një përbindësh gjeopolitik si Bashkimi Sovjetik, për të cilin kanë ende shumë nostalgji përveç Vladimir Putinit.
Gjithsesi këto ishin revolucionë të vërtetë, me ngjarje e pasoja tragjike por edhe përmbysëse për botën mbarë.
Për të ardhur tek ne, revolucionin si atu publike nuke sollën flamingot e mbështetura nga Big Media Liberal. Revolucioni është rrotulluar në panelet e darkës tek ne që nga 2016-a e këndej, duke përmendur qoftë “Rënien e Bastijës”, qoftë luftën për të kapur kallashnikovë e për të “përmbysur narkoshtetin”.
Flamingot, nuk ishin gjë tjetër veçse një revolucion me ngjyrë, i sjellë nga template-t e gatshme të revolucioneve me ngjyra që nga 90 prej OJF-ve e think tankeve të specializuara në “implementimin e demokracisë”.
Flamingo Revolution, ishte pra një copy paste e revoltave me bojna që erdhi në një vend, i cili nuk po përsonte një krizë ekonomike as financiare.
Por që kishte një pakënaqësi politike e më shumë frustruese për një qeverisje të gjatë të mazhorancës së Edi Ramës, shto këtu irritimit dhe pakënaqësive të mëdha nga ushtrimi i qeverisjes, korrupsionit, probleve sociale, pabarazia arroganca etj etj.
Probleme, për të cilat nuk ka nevojë as për një Russo e Volter, por as për Marks e Stalin. Mjaftonte dikush që të artikulonte këto zëra që vijnë nga njerëzit për të shkruar në letër Traktatin e Republikës së Re.
Por ndodhi e kundërta; të gjithë eksponentët më të spikatur të Revolucionit të Flamingove, në vend që të mblidheshin në një dhomë siç u ul i ndjeri Gramoz Pashko e Aleksandër Meksin e Genc Rulin, e të shkruante programin e parë të partisë së parë opozitare në Shqipëri, bënin video pa fund e i postonin në rrjetet sociale.
Ata në vend të traktatit folën për gijotinën, të cilën, pasi nuk e ngritën në mënyrë literale e ngritën me gjuhën e urrejtjes e të dhunës ndaj të gjithëve që nuk ju bashkoheshin.
Dhunë verbale që ushqeu atë masë barbarësh që dogjën Tiranën, me një plan perfid, të mirëpërgatitur, mirëorganizuar e bajagi të financuar.
E gjitha ajo ndodhi për të shkaktuar “Rënien e Bastijës”, që nuk është as kryeministria e as burgu i Durrësit, por Ministria e Arsimit, gjithë dyqanet e Rrugës së Durrësit, Komisariati nr 3, bankat e bankomatet e kjoskat e cigareve. Semaforët, tabelat, bordurat, pllakat e bulevardit e jeta e qytetit të Tiranës që u struk, madje duke u frikësuar i përgjërohej: “Mos na sulmoni, jemi tanët”. Si atmosfera e romanit të Kadaresë: “Nëntori i një Kryëqyteti”.
E sot, me mbarimin e fazës së marrjes së kjoskës së cigareve në boulevard në vend të Bastijës, ka plasur parodija e protagonistëve të këtij revolucioni që kërkon të hyjë në sistemin politik. Siç ndodh gjithmonë duke u treguar më revolucionarë se tjetri, më puritanë se shoku, më roberspier se kolegu që bridhnin në bulevard duke bërë selfi.
Madje duke u grirë në rrjete sociale e studio televizive, jo vetëm me fjalë, por edhe me duar. Sidomos skena e përplasjes me duar ishte parodia e këtij revolucioni fatkeq që na tregoi kush ishte Russoi e Volteri shqiptar…
