Harun Puci një nga të mbijetuarit e tragjedisë së 23 nëntorit të vitit 1989 në një rrëfim për Tirananews.al, kujton historinë e dhimbshme ku tetë studentë dhe dy profesorë humbën jetën në mënyrë tragjike në një aksident të tmerrshëm.
Rrëfimi
Si sot 30 vjet më parë, grupi simpatik i “Dega Perime” i Fakultetit të Agronomisë, humbi shoqet e shokët më te dashur. I nisur një ditë më parë nga Tirana, drejt bregdetit magjepsë të Jugut të Shqipërisë për një turne si kurorëzim i 5 viteve studimesh të vështira. Grupi ishte i elektrizuar nga gëzimi. Jo më seminare, jo më vrap për të kapur orën e leksionit! Një udhëtim fantastik kishim përpara. Sulejman Ulliri një shok i mrekullueshëm kishte mundur të merrte “ok” vëllait Sinanit ti bashkohej grupit gjatë udhëtimit. Sinani kishte magnetofon dhe ishte fotograf.
Tek autobusi për të përcjellë te fejuarat e të dashurat apo të dashurit kishin dalë të gjithë.
E për disa, ishte buzëqeshje e fundit që po dhuronin e merrnin.
Pas një ndalese në Vlorë, një natë do rrinim në hotel në Himarë. Ajo natë në Himarë ka qenë më e bukura natë e jetës time deri atëherë. Shëtitje përgjatë bregdetit, disa nga shoket e shoqet u zhytën në ujin e ftohtë të nëntorit. Ishin momente të paharruara gëzimi. Kisha një ndjesi paqeje në trup dhe mendje dhe po këto ndjesi i shikoje tek të gjithë. Degjoje grupin e studentëve ( nga Korça) që këndonin këngë Korçare. Ke donin; Arqile Balla, Teuta Xhaholli, Misir Sula, Elida Hyseni, Lindita Nika. Xhelal Ndreu që dukej se ishte lider i këngës. Taip Voci mbante magnetofonin në duar dhe I pëlqente të bënte foto nga Sinani.
Alida Hyseni këndonte vazhdimisht. Ishte shumë e zgjuar, plot energji dhe pa u vënë re ishte lider i grupit.
Ilirjana Ibrahimi dhe Donika Ferra po shkruanin emrat në rërë apo vizatonin ndonjë zemër. Prisnin dhe konkurronin se kujt ia fshinte dallga fjalët më shpejt. Albert Smakaj, Sulë Ulliri, Zef Suli dhe unë po flisnim për Gjergj Fishtën. Unë dija pak për Fishtën por Albert Samakaj ishte nga Shkodra dhe recitonte vargje pa mbarim të “Lahutës Malësisë”.Ajo natë vazhdoj me muzikë dhe vallëzim në hotel. Për disa nga grupi, sikur kishin parandjenjë! Sikur e ndjenin se ishte shansi i fundit ta “shpenzonin kupën me gëzim të jetës”. Gjithë natën, këngë kërcim e barsoleta shkodrane nga Berti e Zefi. Vetëm Zoti e dinte se ajo natë ishte e fundit për shumë nga shokët e shoqet tona te paharruara.
Në mëngjesin e datës 23 nëntor 1989, vazhduam udhëtimin. Nuk zgjati shumë dhe ndodhi tragjedia më e madhe që universitetet shqiptare kishin përjetuar ndonjëherë.
Të paharruar qofshin shoqet dhe shokët e mijë të shtrenjtë që u ndanë nga prindërit, motrat, vëllezërit dhe të dashurit a të dashurat e tyre.
Elida Hyseni
Albert Smakaj
Donika Ferra
Ilirjana Ibrahimi
Taip Voci
Xhelal Ndreu
Zef Suli
Prof.Misto
Prof. Thomai
Ali Omuri
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre .
Të mbijetuarit qe përjetuan tragjedinë, dhe qe kishin mbijetuar përmes një aksidenti të tmerrshëm janë:
Prof. Vasil Zafirati
Lindita Nika
Teuta Xhaholli
Misir Sula
Sinan Ulliri
Sulë Ulliri
Arqile Ballo
Harun Puci/Fasliu
Përshëndes me mallëngjim te gjithë shoqet dhe shokët që mbijetuan, kudo që janë. U uroj të gjithëve gjithçka të mirë në këtë botë.
Falënderoj pafund familjen Hyseni, Z. Sulejman Ulliri, Zonjat Teuta Xhaholli, Lindita Nika dhe të afërmit për kontributin e tyre duke kujtuar çdo vit të paharruarit tanë,qe humben jetën në lulen e rinisë. /Tirananews.al
