Një i dënuar nga burgu i Shën Kollit bën apel tu sigurohet jeta pasi godina e burgut është dëmtuar.
Në një lidhje telefonike me News 24, i dënuari thotë se kanë dalë jashtë qelive dhe kanë frikë të hyjnë brenda. Ndërsa në mesnatë me urdhër të drejtorit të burgut, sipas tij, kanë dashur ti detyrojnë të hyjnë me forcë.
“Godina e burgut është plasaritur dhe jemi të pasigurtë. Vijnë policia e burgut dhe thonë do hyni në dhoma me dhunë. Kemi frikë, ka plasaritje të mëdha, kanë lëviz tullat, janë çarë muret, janë çarë muret krejt. Duam të na sigurojnë jetën. Na ka shpëtuar Zoti!”, ka thënë ai në lidhje telefonike.
Ai thotë se nuk sjellin asnjë problem thjesht po qëndrojnë jashtë qelive, brenda rrethimit dhe vetëm dëshirojnë të mos i fusin në qeli.
