Familja Fezollari nga Pogradeci nuk i ka munguar listës së solidaritetit me ndihma për banorët e goditur nga tërmeti në Durrës dhe Thumanë. Madje ka manifestuar me bujari ndihma të bollëshme që janë dërguar tashmë për familjet dhe personat në kushte të vështira.
Jo pak, por 7 kamionë me ndihma për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës e Thumanë janë nisur nga Pogradeci, si një kontribut i veçantë nga biznesmenët e njohur, vëllezërit Bajram dhe Lirim Fezollari.
Ndihmat e dhëna prej tyre kanë konsistuar kryesisht në qindra batanije dhe dysheke për të përballuar fjetjen dhe të ftohtin, por edhe paketa ushqimore, ujë e ndihma të tjera të nevojshme në rrethana të tilla fatkeqësish.
Kjo nuk është hera e parë dhe e vetme që vëllezërit Fezollari nga Pogradeci iu gjenden pranë njerëzve në nevojë dhe fatkeqësi. Duke nisur me akte humanizmi nga rastet më të vogla të paraqitura si fatkeqësi, deri te ndihmat ushqimore të bëra traditë tashmë për festat e fundvitit.
Ndërkaq, vëllezërit Fezollari i kanë bërë thirrje të gjitha bizneseve të Qarkut të Korçës të solidarizohen me banorët e prekur nga tërmeti jo thjesht nga shembulli human i tyre por si dëshmi e solidaritetit njerëzor me akte bamirësie.