Dorjana Bezat, gazetarja e News 24 e cila që prej tërmetit të 26 nëntorit ka qenë në terren në raportimin e lajmit ka mbetur dhe vetë e pastrehë nga lëkundjet sizmike.
Në një lidhje me emisionin “Me zemër të hapur”, Doriana rrëfen se është e lumtur që ajo dhe djali i saj gëzojnë shëndet të plotë. Ajo thotë se ka qenë duke marrë në intervistë një person me probleme me zemrën kur ka marrë vesh se ka mbetur e pastrehë.
“Banesa ime ka shfaqur probleme disa ditë pas tërmetit, jo ditën e 26 nëntorit. Kam qenë në Durrës pranë stadiumit, ku vinin personat e pastrehë, duke intervistuar një zotëri me probleme me zemrën dhe i pastrehë. Në momentet kur po xhiroja më ka ardhur telefonatë nga shtëpia, duke u nisur nga profesioni im koha është e limituar dhe gjithmonë e kam mbyllur deri në momentin që në ekran u shfaq një mesazh që duhej të evakuoheshim”, thotë Doriana.
Ajo thotë se tashmë djalin e ka strehuar në Korçë tek prindërit e saj deri në gjetjen e një ambienti më të përshtatshëm. “Më preke, po mendoj se në këtë situatë kam parë shumë njerëz të prekur nga tërmeti e duke qenë se kanë humbur shumë me shumë se unë nuk kishte vend të ankohesha për veten”, ka vijuar ajo.
