Mes viktimave të tërmetit tronditës në Shqipëri ishte edhe 25-vjeçari, Kristjan Preçi, pasi pallati ku ai banonte në Thumanë u rrënua nga lëkundjet e fuqishme të tokës.
Babai i të riut, Marjan Preçi rrëfeu bisedën e fundit me djalin dhe dëshirën e tij që mbeti e paplotësuar.
Ai tregoi se i biri priste të merrte rrogën pasi kishte punuar dy muaj në një fabrikë këpucësh dhe kishte planifikuar të festonte ditëlindjes e nënës së tij më 28 nëntor.
“Biseda ime e fundit ka qenë po atë natë, para se të ndodhte kjo, darka e datës 25, rreth orës 19:00. Kishte dy muaj që kishte filluar punë dhe nuk i kishte marrë akoma lekët. Kishte filluar në një fabrikë këpucësh afër Fushë-Krujës. Ishte akoma në provë si të thuash, erdhi pronari i vetë që solli lekët e djalit që kishte punuar, se nuk i kishte marrë akoma rrogën. Kam pasur këtë kujtim me djalin atë natë: Nëna e vet më datë 28 Nëntor ka pasur ditëlindje. Më thotë babi, kur t’i marr lekët do ta marr mamin edhe gjyshen dhe do të shkoj të haj një drekë tek një restorant që është këtu, që kushton pak, se kam filluar edhe punë dhe kam qejf që ta çoj mamin dhe nënën,” tha ai për Tv Klan.
Më tej, ai rrëfeu se në tërmetin e mëparshëm, të dy apartamentet e tij kishin pësuar plasaritje dhe krisje të dukshme.
“Dhoma e gjumit kishte një plasje horizontale, rreth e rrotull në tavan. 20-30 centimetra poshtë tavanit. Pika ku ka fjetur djali, në dhomën e ndenjes, ka pasur një çarje të fuqishme muri deri në një farë pike, tipit sikur bie rrufeja, shumë degëzime. Edhe po e njëjta gjë tavani. Kishte edhe çarje nëpër qoshe, vertikale”, tha ai.
Babai i Kristjanit rrëfen dhe momentin kur mori vesh lajmin e hidhur për të birin dhe ndihmën që i dhanë për t’u kthyer nga Gjermania, aty ku punonte prej vitesh për t’u siguruar mbijetesën bashkëshortes, Kristjanit dhe nënës së tij.
Unë jetoj në Gjermani bashkë me djalin e vogël. Në orën 04:30 të mëngjesit marr një telefonatë nga vëllai i madh, Moisiu. A e di që është bërë nami, ka rënë tërmet? Edhe nuk e dimë… por 99 përqind e ka mbytur djalin. Nuk e kam marrë veten, nuk e kam ditur se ku jam. Jam nisur për në Shqipëri me një shok të punës nga Kosova. Ai më është gjendur për gjithçka. Munda të marr avionin që të jem në orën 2 e gjysmë po atë ditë në Thumanë. Kam ardhur tek shtëpia, kam gjetur çdo gjë të organizuar nga vëllezërit, shoqëria e miqësia, sepse mua shtëpitë më ishin shembur të dyja.”