Ministrja e Arsimit Besa Shahini përmes një videomesazhi nga Durrësi ka bërë të ditur se procesi mësimor nis të hënën, më 9 dhjetor, duke shprehur një falenderim të veçantë për të gjithë mësuesit që gjatë kësaj jave janë angazhuar në përgatitjen e shkollave për të pritur nxënësit në zonat e prekura nga tërmeti, Lezhë, Durrës dhe Tiranë.
Ajo ndodhet në Durrës ku thotë se po shpërngulen dhe nxënësit e fundit nga shkollat e dëmtuara në shkollat pritëse.
“Sot jemi në Durrës duke u munduar të zhvendosim edhe nxënësit nga shkolla që nuk do të hapen, tek shkollat pritëse”, thekson Ministrja Shahini ndërsa shprehet gjithashtu:
“Unë besoj fuqishëm që me gjithë kontributin tuaj, me punën që kanë bërë drejtorët e shkollave dhe me përpjekjet tona, ne do të jemi plotësisht gati që me 9 dhjetor t’i kthehemi sado pak normalitetit dhe të mirëpresim nxënësit në bankat shkollore. Faleminderit edhe një herë, dhe ju mirëpres të hënën”.
