E ftuar sot në “E diell” ishte Kejvina Kthella, velina bionde që u bë fillimisht e njohur në “Xing me Ermalin”. Kejvina u detyrua të largohej nga emisioni pas disa sezonesh, sepse i ishte ofruar një mundësi e mirë karriere në Itali. Megjithatë, disa muaj më vonë ajo u rikthye në TV Klan, kësaj radhe në “Dance With Me”, ku është pjesë e garës së bashku me Eduart Ndocajn.
Pas kësaj, pyetja që i mundonte të gjithë ishte: Çfarë ndodhi me karrierën e Kejvinës në Itali? E vendosur përballë disa pyetjeve me spec, velina nuk mundi t’i shpëtonte as këtij kurioziteti:
“Pse i mashtron njerëzit ti? Thua do bëj karrierë në Itali dhe ke një vit që jeton akoma këtu?”
“Në fakt, nuk kam mashtruar kurrë asnjeri. Kam pasur projektet e mia në Itali, më pas m’u kërkua të marr pjesë në Dance With Me. Duke qenë se falë Shqipërisë dhe ‘Xing me Ermalin’ jam kjo që jam, nuk doja të prishja raportet me Tv Klan dhe me Shqipërinë time”, -është shprehur ajo.
Kejvina ka folur gjithashtu edhe për marrëdhënien me mediat online, për të cilat ka reaguar e revoltuar së fundmi në Instagram. Ajo u shpreh se ka shpërthyer kundër gazetarëve për shkak të presionit që ata bëjnë me gjërat që shkruajnë, pa e menduar gjatë dëmin psikologjik që shkaktojnë.