Nuk mund të rrija indiferent kur pashë foton e ish
ministrit të financave, Arben Ahmetaj, që relaksohej në një palestër dhe po
djersinte, teksa mëndja më shkoi tek ata minatorët që kanë derdhur djersë në
nëntokën shqiptare në Mirditë, Kukës Bulqizë, Tropojë, Mat, Pogradec, Memaliaj
e Vlorë. Ky njeri që vazhdimisht refuzoi me përbuzje të takohej më
minatorët për një të drejtë legjitime të tyre, miratimin e statusit minatorit,
por nuk u mendua 2 herë të shkonte të inaguronte hotelin e Balilit në Sarandë,
madje i shoqëruar dhe nga kryetari i kuvendit dhe deputetët e tij. Kreu e
Kuvendit dhe deputetët nuk i mblodhi asnjë herë për minatorët, nuk i mblodhi as
për statusin fiktiv të naftëtarit, që këtyre të fundit nuk u shërben për
asgjë. Familjet e ish minatorëve jetojnë në mjerim, teksa ish punonjësit
e nëntokës nuk e kapin moshën 60 vjeç për shkak të sëmundjes së
silikozës.
Varfëria është ulur këmbëkryq në familjet e tyre, ndonëse jetojnë në zona ku
pasuritë nëntokësore do mundësonin mirëqenie për të gjithë shqiptarët, por
babëzia e pronarëve me lidhje politike në Tiranë nuk mundëson as të ardhurat
minimale për ata që nxjerrin nga nëntoka këtë pasuri. Miratimi i statusit
të minatorit është një luftë e gjatë ku kemi fituar shumë beteja dhe jemi në
prag të betejës finale miratimin e statusit dhe Konfederata e Sindikatave të
Shqipërisë nuk do të ndalet përpara asgjëje deri sa të plotësohet kërkesa e ish
minatorëve.
Galeritë e nëntokës janë kthyer në galeri vdekjesh dhe Ministrat e Drejtorët që
djersiten në palestra dhe zyra me ajër të kondicionuar i vënë kërkesës së
minatorëve për status murin e burokracisë, a thua ca letra dhe shkresa vlejnë
më shumë se jeta dhe kontributi ndër vite i minatorëve. Këta të fundit
thirreshin në konferenca fiktive më skype a thua se ish minatorët po kërkonin
internet nën tokë për të hedhur selfie në facebook e instagram dhe jo një
detyrim që shteti ka ndaj tyre.
Draft i kopsitur për statusin e minatorit ndodhet në zyrat e Ministrisë
Financave dhe Ministrisë Industrisë, mungon vullneti për ti dhënë zgjidhje
këtij ngërçi, por ne Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë nuk do ta lëmë
këtë çështje në dorë të qeverisë pasi ne nuk kërkojmë mëshirë, por një të
drejtë që na takon. Ditën e hënë Sindikata e Industrisë organizon një
takim të zgjeruar me minatorë nga e gjithë Shqipëria ku do merret një vendim
lidhur me reagimin e minatorëve për zvarritjen e statusit të minatorit. Ministrja
e re e Financave, Adela Denaj ,duhet ti ketë kërkesat e minatorëve kryefjalë të
axhendës së punës saj, ndaj së shpejti ajo duhet të mbledhë grupin e punës për
këtë çështje. Opozitës i bëj thirrje që për statusin e minatorit të heqë
dorë nga bojkoti absurd se po përsëris se minatorët vlejnë më shumë se
“Babalja” dhe “Xhisiela”
Postime te ngjashme
Add A Comment
