P.Sh është vetëm 16-vjeçare, por është bërë një personazh interesant në qytetin e Bulqizës. Prej një viti ajo ka shqetësuar seriozisht prindërit, Policinë lokale dhe drejtorinë e Shërbimit Social në Qarkun e Dibrës.
Një vit më parë adoleshentja përjashtohet nga shkolla për shkak të numrit të lartë të mungesave dhe sjelljes jo normale në mjediset arsimore. Mësuesit nuk arritën ta bindin që të frekuentonte mësimin dhe të sillej si bashkëmoshatarët.
Ajo që ka shqetësuar familjarët dhe auroritetet shtetërore është fakti se P.Sh, largohet nga banesa me javë e muaj, ndërkohë prindërit denoncojnë në Polici “zhdukjen” e saj. Konfirmohet zyrtarisht se të paktën pesë herë brenda një viti babai dhe nëna e 16 vjeçares kanë denoncuar në Komisariatin e Policisë Bulqizë humbjen e vajzës.
Zyrtarë të drejtorisë së Policisë Dibër saktësuan se prindërit kanë denoncuar largimin e vajzës në “drejtim të paditur” dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e Policisë për gjetjen e saj. “Ne, janë shprehur prindërit, e trajtojmë vajzën mjaft mirë, ashtu siç trajtojmë gjashtë fëmijët e tjerë. Ajo largohet nga shtëpia tinëz. Nuk dimë ku vete, me kë rri, çfarë bën. Kemi frikë se po e trafikojnë. Disa ditë më parë është ndalur në doganën e Morinit teksa udhëtonte drejt Kosovës”. Këto janë pohimet e prindërve në Policinë e Dibrës.
Shërbimi Social Dibër këmbëngul që Policia lokale dhe ajo rajonale të marrin masa për “disiplinimin” e vajzës rebele, që të zbulohet “aktiviteti” i saj dhe lidhet e mundëshme me persona problematikë. Sakaq nga Policia vijnë “argumentat” se adoleshentja dyshohet se konsumon lëndë narkotike dhe deri tani nuk është zbuluar se ajo po trafikohet apo keqpërdoret për qëllime prostitucioni, paçka se nuk thuhet ku qëndron me muaj të tërë.
“Unë largohem nga shtëpia sepse prindërit nuk më lejojnë të dal me shoqet e shokët. Nuk mund të rri e mbyllur në shtëpi. Kur largohem zakonisht qëndroj te shoqet e mija në Bulqizë, Peshkopi e Tiranë”. Kështu ka pohuar 16 vjeçarja kur është marrë në pyetje nga Policia, në prani të psikologes. Pas deklarimeve është lënë e lirë. Herë rikthehet në banesë dhe herë ikën përsëri.
Sipas Policisë ajo nuk mbahet e izoluar sepse është minorene dhe se Prokuroria nuk ka gjetur vepër penale për ta dërguar në institucionet e riedukimit. Deri tani akuza e vetme për vajzën bulqizake është ajo e largimit nga banesa. /tirananews.al/