Tërmeti i 26 nëntorit nxori në pah problematikat e ndërtimit në Shqipëri, mëmyrave dhe materialeve të përdorura. Aktualisht vendi është në fazën e evidentimit të dëmeve e më pas do të nisë dhe rindërtimi. Krahas nismave të qeverisë për të vendosur standardet e duhura në ndërtim, inxhinierët janë ata që luajnë rolin kryesor në cilësinë e ndërtimit. Giulio Morandini, inxhinieri italian menaxher i produkteve të ndërtimit për riforcimin e strukturave të MAPEI ishte i pranishëm në Tiranë në trajtimin e inxhinierëve lidhur me teknikat e riforcimit. Ai theksoi gjatë trajnimit se një sistem riforcimi nuk është i mjaftueshëm dhe se operacioni i parë është përgatitja e suportit.
Në një intervistë për tirananews.al, inxhinieri Morandini thotë se problemet e ndërtimit në Shqipëri janë teknikat e gabuara që janë përdorur në të shkuarën duke rritur dhe dëmet e tërmetit. Për inxhinierin duhet pasur parasysh dhe riforcimi i ndërtesave që nuk janë dëmtuar, dhe kjo është e rëndësishme për të shmangur dëme në të ardhmen nëse do të ketë lëkundje të tilla sizmike. Për këtë si shembull marrim rastin aktual në Shqipëri dhe ai thotë se nëse do të ishte bërë riforcimi i ndërtesave pas tërmetit të 21 shtatorit, ato struktura ndoshta nuk do të ishin dëmtuar në atë të 26 nëntorit.
Inxhinier me ato që keni parë këtu në Shqipëri, sipas jush cilat janë problemet e ndërtimit këtu?
Problemet tipike të ndërtimit këtu janë dhe ato që kemi parë në Itali nga tërmetet e fundit. Janë probleme të faktit se në të kaluarën janë përdorur detaje teknike të gabuara apo nuk është pasur vëmendja e duhur në disa detaje të ndërtesave që ka provokuar difekte që qartësisht nuk kanë bërë gjë tjetër vetëm kanë rritur dëmet e tërmetit.
Folët për katër sisteme riforcimi, sipas jush cila është e përshtatshme për ndërtesat këtu?
Varet gjithmonë nga lloji i ndërtesës që duhet të riforcohet. Nuk ka vetëm një teknikë që mund të përdoret. Sipas meje, duke konsideruar atë që pashë mund të përdoret për ndërtesat me beton arme produktet e FRP*, ose produktet e quajtura HPC*. Përsa i përket ndërtesave me muraturë sigurisht duhen FRGM janë teknika më e mirë.
10 vite pas tërmetit në Acquila ju thatë se rindërtimi vijon dhe do të vijojë dhe për dhjetë vite të tjera. Dëmet në Shqipëri ishin më të vogla se në Acquila po sa kohë mendoni se do të duhet?
Kjo varet shumë nga sa para qeveria do të vendosë në dispozicion. Kjo është e vështirë të dihet.
Kur flasim për tërmetet edhe ndërtesat që nuk kanë pasur dëme “lodhen”. A duhet të riforcohen apo kanë kohën e tyre të distresimit?
Edhe ndërtesat që nuk janë dëmtuar duhen absolutisht të riforcohen, përkundrazi ky është avantazh, sepse në atë rast ti bën një aplikacion që parandalon që në raste të tërmeteve të tjera strukturat të dëmtohen…
Për shembull tërmeti i 21 shtatorit dhe më pas ai i 26 nëntorit…
Saktë. Nëse pas shtatorit do të ishin riforcuar strukturat ndoshta ato struktura nuk do të ishin dëmtuar në nëntor.
Nëse një ndërtesë bie, siç dhe ka ndodhur në Shqipëri, a mund të ndërtohet sërish një tjetër ndërtesë në të njëjtin vend, duke ditur se toka do kohën e vetë të qetësohet?
Sot ka teknika që të japin mundësinë të ndërtosh ndërtesa të sigurat dhe në zona të rrezikshme nga këndvështrimi sizmik. Dhe përgjigja është po, sot po. Me teknikat ekzistuese sot mundet. Sigurisht nuk duhet ndërtuar si në të kaluarën.
Një këshillë për inxhinierët shqiptarë?
Pyetje bukur. Këshilla ime është të jenë kuriozë dhe të kërkojnë teknikat e duhura për çdo ndërtesë dhe jo të përdorin vetëm një teknikë për të gjitha. Sepse një teknikë që është e njëjtë për të gjithë nuk ekziston. Njësoj siç kur shkon te doktori. Nëse të dhemb shpatulla është e kotë të shkosh tek dentisti. Tek dentisti shkon kur të dhemb dhëmbi, te ortopedi kur të dhëmb shpatulla. Dhe struktura është e njëjta gjë.
ÇFARË ËSHTË TEKNIKA FRP?
*FRP- (Fiber Reinforce Polimer) është teknikë e cila zbatohet më shumë për kolonat, dhe bëhet fjalë për materiale në formë rrjete ose lamina.
*HPC- (High Performance Concrete) një teknikë e re moderne e betonit

