Kreu i Komisionit të Përhershëm të Kuvendit për Ekonominë, Arben Ahmetaj tha dje, në seancën plenare të Kuvendit gjatë diskutimit të buxhetit 2020 se ky është një nga momentet kur financat publike dhe i gjithë vullneti i maxhorancës socialiste, u testua përballë një fatkeqësie natyrore.
“Shumëkush priste reagimin e mazhorancës, priste reagimin e qeverisë qoftë nga ana emocionale apo edhe e përballimit të emergjencës apo të rindërtimit dhe ky buxhet është një përgjigje e duhur e gjithë kujdesit të kësaj maxhorance dhe e qeverisë, ndaj qytetarëve të gjithë vendit dhe sidomos ndaj qytetarëve në zonat e prekura nga tërmeti”, theksoi Ahmetaj.
Ai tha se, mbi të gjitha qeveria dhe maxhoranca vendosi të mos e prekë buxhetin tradicional me programe tradicionale të vetat, me qëllim që e gjithë pjesa e Shqipërisë përtej zonave të prekura nga tërmeti të ketë vëmendjen e duhur përsa i takon shërbimit dhe investimeve publike.
Kjo do të thotë se në buxhetin 2020, nuk janë shkurtuar investimet dhe shërbimet. Gjithashtu tha ai, nuk rritet as borxhi publik.
“Kemi 5 vjet që ulim borxhin publik dhe jemi një maxhorancë e përgjegjshme tamam në një ditë të vështirë si kjo. Në 5 vite e kemi ulur çdo vit nga 2,3 deri 3 % borxhin dhe sot kemi mundësi që ta përballojmë me shumë përkushtim këtë sfidë të natyrës që preku dhe jetë njerëzish e banesa. Borxhi publik do të jetë minimalisht 0.8% e PBB më i ulët se 2019. Pra, qeveria nuk po e rrit borxhin por përkundrazi po vijon ta ulë atë”- tha ai.
Ahmetaj shpjegoi balancën primare pozitive dhe në një vit të vështirë si 2002. Sipas tij, qeveria jo vetëm që nuk e rrit borxhin por vazhdon të jetë e kujdesshme duke mos e shtuar barrën në kurriz të qytetarëve por merr përsipër që të ndërmarrë edhe një program të ri në kushtet e pas tërmetit që është Programi i Rindërtimit.
“Kemi shtuar një nen specifik në buxhetin 2020 që thotë se “Programi i Rindërtimit në buxhetin e shtetit është 20 miliardë lekë, ai është dinamika që do të thotë se mund të shtohet nga donacionet, është i trashëgueshëm që do të thotë që vijon nga viti në vit, dhe sigurisht që çdo donacion që do të vijë nga Konferenca e Donatorëve që do të mbahet në fillim të muajit shkurt do ta shtojë atë shumë në funksion të rindërtimit”- tha ai.
Ahmetaj u shpreh pro fondit prej 6.2 miliardë lekë të adresuar për investimet publike që do të shërbejë edhe në Programin e Rindërtimit. “Nuk lëmë askënd vetëm është moto e këtij buxheti”, tha ai.
“Janë 1,2 miliardë lekë për bonusin e qirave, gjatë gjithë vitit 2020, që do të thotë se asnjë qytetar nuk do të lihet jashtë vëmendjes së qeverisë. Pra qytetarët që kanë humbur banesat e tyre në mënyrë të pakthyeshme, apo kanë pësuar dëme të rënda në shtëpitë e tyre, do të kenë bonusin e qirasë në dorë deri në ditën që do të futen në shtëpinë e reja që do të ndërtohen nga kjo qeveri dhe maxhorancë”, deklaroi Ahmetaj.