Menjëherë sapo bënë betimin anëtarët e rinj të SPAK ka reaguar edhe ambasada amerikane në Tiranë përmes një deklarate.
Ajo e konsideron një hap të rëndësishëm duke u shprehur se nga dita e sotme vendi ka një organ prokurorësh të angazhuar për të vënë para drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit.
DEKLARATA
Shtetet e Bashkuara përgëzojnë tetë prokurorët të cilët u betuan këtë mëngjes si anëtarët e parë të Zyrës së Prokurorisë së Posaçme, duke shënuar një hap të rëndësishëm në themelimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK). Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm. Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë ti japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar.
