Ministria e Arsimit bën të ditur se për herë të parë po licencohet “mësuesi ndihmës” në kuadër të profilit “Arsim special”.
Sipas njoftimit zyrtar të MASR është bërë të mërkurën provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit, në profilin “Arsim Special”. Nga 30 kandidatët, 20 kanë rezultuar fitues.
Në vijim, profili “Arsimit Special” do të jetë pjesë e inkorporuar në tërësinë e profileve që ka mësuesia duke u përfshirë në sezonet e ardhshme të provimit të shtetit në profesionin e rregulluar të mësuesit.
Çfarë është arsimi special?
Arsimi special është praktikë e edukimit të nxënësve me nevoja të veçanta arsimore në një mënyrë e cila i merr parasysh nevojat dhe dallimet individuale të tyre.
Degët
Logopedia – subdisiplinë e cila merret me edukimin, arsimimin, trajnimin, përshtatjen sociale dhe integrimin e fëmijëve me çrregullime në të folur.
Tiflopedagogjia – subdisiplinë e cila merret me edukimin, arsimimin, trajnimin, përshtatjen sociale dhe integrimin në shoqëri të fëmijëve me dëmtime vizuale (shikim të dëmtuar).
Surdopedagogjia – subdisiplinë e cila merret me edukimin, arsimimin, trajnimin, përshtatjen sociale dhe integrimin në shoqëri të fëmijëve me dëgjim të dëmtuar (fëmijët me vështirësi në dëgjim).
Oligofrenopedagogjia – subdisiplinë e cila merret me edukimin, trajnimin, përshtatjen sociale dhe integrimin e fëmijëve me prapambetje mendore.
Ortopedagogjia (Somatopedagogjia) – subdisiplinë e pedagogjisë speciale e cila merret me edukimin special të fëmijëve me invaliditet fizik që manifestohet me çrregullimet e organeve të lëvizjes trupore, me çrregullim të eshtrave dhe muskujve.
