Gazetari dhe studiuesi Erald Kapri nuk arriti të fitojë në garën për kryetar të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Ndonëse ai paraqiti një platformë serioze për mënyrën e drejtimit dhe transformimit të këtij Instituti, Bordi Drejtues i ISKK-së vendosi t’ia besojë këtë detyrë, një tjetër gazetari, Çelo Hoxhës. Ndonëse vet Kapri nuk ka bërë asnjë koment që të kontestojë këtë vendimmarrje, është bashkëshortja e tij, Anta Muçaku ajo që ka reaguar ashpër sot për këtë zgjedhje të Bordit Drejtues të ISKK-së.
Statusi i Muçakut:
Kurse unë nuk mund ta fsheh zhgënjimin e radhës për realitetin e fantaksur në të cilin jetojmë.
Është frymëzuese që ti edhe në një moment si ky, nuk dëshiron të flasësh për të keqen, apo shkopinjtë ndër rrota por sheh gjithmonë përpara dhe aty mes ferrave gërmon gjithnjë për më të mirën.
Bëre një platformë që mendoje se do i ndryshonte fytyrën Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit dhe dje nuk mund të mos prekesha kur ti edhe pse humbe, me entuziazëm më flisje për gjërat që the aty brenda dhe për platformën që prezantove.
Çfarë më dëshpëron është se ata që zgjodhën nuk menduan as për platformën dhe as për ato që the. Thjesht zgjodhën.
Fakti që ti hyre në garë, në vend t’i gëzonte për demokratizimin dhe frymën e re që po përcillje, i bëri të viheshin në lëvizje sepse pandehën se u hyri ‘armiku brenda’ por armikun e kanë thellë brenda vetes dhe këtë s’mund ta ndryshojë as çiltërsia e as pastërtia e një të riu si ti.