Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” do të ketë së shpejti një depo të re farmaceutike, investim i qeverisë shqiptare prej 18 milionë euro.
Depoja farmaceutike është një investim jetik për garantimin e sigurinë më të lartë dhe një shërbimi cilësor farmaceutik. Në kantierin e punimeve, ishte kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Do ketë 7 dhoma frigoriferike, me të gjitha kushtet optimale që duhan për barnat që vijnë. Ka një magazinë të madhe për të gjithë pjesën e serumeve dhe të gjithë elementëve të tjerë. Çdo bar që futet në QSUT është i skanuar me një bar kod dhe gjithashtu kur del, deri sa shkon tek pacienti, gjithashtu me bar kodin e vet. Është një investim, i cili siguron dhe garanton cilësi,” – tha ministrja Manastirliu, duke theksuar se çdo vit blihen 18 milionë euro barna dhe pasja një depoje me standarde të larta ishte një domosdoshmëri.
Një investim që siguron standardet më të larta europiane të sigurisë dhe cilësisë së barnave dhe një transformim i rëndësishëm për gjithë strukturën e shërbimit të QSUT-së, u cilësua nga Kryeministri Rama.
Ndërtimi i depos farmaceutike do të garantojë cilësi dhe siguri për barnat dhe materialet mjekësore, që përdoren në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
