Anteo, 13 vjeçari nga Thumana me aftësi ndryshe që i shpëtoi mrekullisht tërmetit të 26 nëntorit, pasi shtëpia e tij u shemb, është strehuar në një prej hoteleve të Shëngjinit dhe vazhdon jetën normalisht.
E gjithë familja e Anteos është strehuar në Shëngjin, ndërsa ai vet ndjek atje shkollën ku siç thotë mamaja e tij, ai është nxënës i shkëlqyer e me të gjitha notat 10-ta. I vizituar sot nga stafi i Ramës, vogëlushi ka kërkuar si dhuratë për festa një aparat celular iphone 11, dhuratë e cila është marrë përsipër të realizohet nga stafi i kryeministrit para Vitit të Ri.
“Anteo, 13 vjeçari me aftësi ndryshe që i shpëtoi fatmirësisht tërmetit në Thumanë është strehuar bashkë me familjen në Shëngjin, ku ndjek shkollën si një nga nxënësit më të shkëlqyer dhe orët e fizioterapisë së nevojshme.
Ai ëndërron të bëhet mjek në të ardhmen, por për fundvit i shprehu Alteos dëshirën për një dhuratë të preferuar, të cilën morëm përsipër t’ja dorëzojmë përpara Vitit të Ri”, shkruhet mbi videon e shpërndarë nga Rama.
