30 vjet pas fillimit të tranzicionit, po formësohet brezi i parë i trashëgimtarëve të sipërmarrjeve shqiptare. Si po kalojnë ‘dinastitë’ shqiptare të biznesit, të fushave të ndryshme, te një gjeneratë e re. Kush po ulet në të njëjtën karrige si paraardhësit dhe cilët po ndjekin ëndrra apo karriera të ndryshme? Sa në gjendje do të jenë ata të çojnë përpara bizneset e prindërve të tyre? Përvoja botërore tregon se kjo nuk është shumë e lehtë. Rreziqet e dështimit janë të larta, sidomos në brezin e tretë.
Nga Deada Hyka/
Prindërit, që nisën sipërmarrjet në fillim të viteve ’90, shumica e të cilëve u rritën dhe mësuan teksa bënin biznes, janë kujdesur që fëmijët të marrin arsimin e duhur, në mënyrë të preferuar jashtë vendit. Këta të fundit janë brumosur me një mentalitet dhe arsim tjetër, shpesh dhe janë “llastuar”, pasi kanë pasur gjithçka gati. Por teksa vitet kalojnë, nuk do iu duhet shumë që të përballen me sfidat e vërteta të të bërit biznes.
Në Shqipëri, 30 vjet pas fillimit të tranzicionit, po formësohet brezi i parë i trashëgimtarëve të sipërmarrjeve shqiptare. Kemi dy modele: pinjollët e rinj që vijojnë rrugën e nisur nga etërit apo gjyshërit dhe ‘kryeneçët’ që zgjedhin një rrugë të re, krejt të ndryshme nga familja.
Për themeluesin dhe drejtuesin ekzekutiv të një prej kompanive më të mëdha të përpunimit të mishit dhe prodhimit të sallameve në vend, Luan Leka, historia ka ecur në kahun e kundërt. Dy vajzat e tij kanë zgjedhur që të jetojnë dhe të punojnë jashtë Shqipërisë, njëra në SHBA (Nju Jork) dhe tjera në Angli (Londër). Eda, ish-administratorja e “Qafshtama EHW GROUP” pak vite më parë zgjodhi të pranonte një ofertë të mirë në SHBA dhe tashmë jeton atje.
Për një gjeneratë tjetër, që rritet e mbështjellë nga historia dhe rrënjët e biznesit, duke vëzhguar në radhë të parë sukseset dhe dështimet, ndryshimet dhe rritja do të krijojnë një bashkim shumë të fortë për atë entitet. Njohja e historisë së krijimit të biznesit, arritjet dhe vështirësitë, vizitat në kompani, njohja e punonjësve që nga lindja – këto janë vetëm disa elemente që përbëjnë trashëgiminë e një biznesi familjar. Mund të duken si detaje, por këto gjëra të vogla ndërtojnë një lidhje të fortë emocionale me biznesin familjar me kalimin e kohës. Pikërisht kjo lidhje emocionale, nga ana tjetër, do të krijojë një sens kolektiv të krenarisë në gjeneratën e ardhshme, duke nxitur vullnetin për të vazhduar trashëgiminë dhe duke nxitur gjeneratat e ardhshme të bëjnë të njëjtën gjë.
Kur brezi i ardhshëm është i bashkuar në dëshirën për të vazhduar trashëgiminë, ata bëhen një ekip. Disa janë të përfshirë direkt në kompani, disa provojnë sipërmarrje të reja dhe ndjekin interesat e tyre.
Sindi Xhillari është rritur në frymën e bizneseve të ndërtuara nga i ati, Alban Xhillari, i cili hapi kinemanë e parë në Tiranë, si dhe biznese të tjera në fushën e ndërtimit dhe argëtimit. Sindi, e shkolluar jashtë në dy drejtime, Financë dhe Real Estate, kthehet në Shqipëri, me ide biznesi, të cilat i ndërthur me bizneset e të atit. Hap kompaninë e saj të parë në vitin 2017, Apart Hotel Tirana, e cila konsiston në apartamente me qira ditore, frymëzuar nga Airbnb, ku ‘përdor’ apartamente të pashitura nga kompanitë e babait. Por, jo vetëm. E rritur me frymën e biznesit, ajo nis edhe një biznes të ri të saj, atë të e-commerce Turbo.
Dhe në fakt, ka kaq shumë role të tjera për të luajtur sesa vetëm ai i punonjësit ose CEO i biznesit familjar. Dëshira për të qenë pjesë dhe për të vazhduar një trashëgimi i ndihmon gjeneratat e ardhshme që ta çojnë biznesin përpara, sepse ata e dëshirojnë dhe jo sepse puna është e detyruar.
Të katër fëmijët e vëllezërve Duka kanë ndjekur me dëshirë mundin dhe pasionin e baballarëve dhe kanë vijuar më tej, atë që ata u kanë mësuar me kujdes gjatë viteve. Dhe vitet kalojnë, po Enva, vajza e Agronit, thotë se që në vegjëli, por edhe kur u rrit, ka studiuar dhe synuar që çdo investim te vetja të jetë në funksion të bizneseve familjare. Këtë model ka ndjekur edhe vëllai i saj Andi, si dhe të dy kushërinjtë, Lori dhe Kleiti.
Trashëgimia është një histori që duhet të tregohet vazhdimisht, pa harruar të hapet gjithnjë një kapitull tjetër.
Kristina Neranxi është rasti i vajzës së një biznesmeni, por që përpos të qenët menaxherja e firmës së babait, ajo menaxhon një nga baret më të frekuentuara në bllok, të cilin e furnizon me produktet e saj.
Trashëgimia bëhet një me markën e vetë familjes, kështu që nuk është vetëm biznesi që ata bëjnë, por edhe identiteti i familjes.
Rasti i Armand Pezës, i cili themeloi më shumë se dy dekada më parë Geraldina Sposa, kompani e cila sot është diversifikuar në agjenci eventesh, fustane nusërie, mbrëmjeje, si dhe nisma e fundit e së shoqes, bashkudhëtare e biznesit, në hapjen e linjës së saj të këpucëve “Made in Marcela Lati”. Çdo ditë i gjen të dy, në punë e në organizime eventesh, një punë e palodhur sipas tyre dhe me sakrifica të mëdha në një treg të vogël si Shqipëria. Megjithatë, puna ka qenë në funksion të krijimit të një identiteti, që sipas tyre, është më se i vendosur. Në planet e së ardhmes për çiftin jo vetëm në jetë, por edhe në biznes, është investimi tek e bija, 13 vjeçe, për të qenë një dizenjatore e ardhshme, pse jo, sipas tyre jo vetëm për biznesin, por edhe për të ardhmen e saj për të sjellë kompanitë e saj.
Bizneset Duka, të katër fëmijët në bizneset familjare
Enva, Andi, Lori dhe Kleiti nuk kanë të përbashkët vetëm mbiemrin Duka. Ajo çka i bashkon të rinjtë nga Durrësi është vazhdimësia e traditës së bizneseve familjare, e themeluar nga dy vëllezërit, Agron dhe Armand Duka.
Enva, vajza e biznesmenit Agron Duka, në një rrëfim për “Monitor”, flet me shumë pasion kur tregon për fillesat e kompanive Duka, si dhe sakrificat e mundin për të qenë momentalisht në treg me tre kompani. “Në fillimet e asaj, Aiba lindi nga privatizimi i Fabrikës së Ushqimit Blegtoral dhe e zhvilloi më tej aktivitetin në prodhimin e vezëve, importimit dhe shpërndarjes në Shqipëri të produkteve ushqimore dhe elektronike. Në vitin 2009, për t’i dhënë fokusin e nevojshëm çdo qendër kostoje, nga Aiba derivuan 3 kompani: Aiba Company, fokusi i së cilës mbetet edhe sot prodhimi i ushqimit blegtoral, prodhimi i vezëve dhe për të mbyllur ciklin, në prodhimin e plehut organik; Go Tech Electronics, e fokusuar në shitjen me shumicë dhe me pakicë të pajisjeve elektronike; Eco Market Food, i fokusuar në shpërndarjen e produkteve ushqimore.
“Fillimet e kompanive ishin të vështira, për të cilat im atë ka sakrifikuar kohë e mund, për të qenë tani në treg. AIBA menaxhohet nga vëllai im, Andi, sepse ne jemi rritur me frymën e bizneseve tona familjare dhe na kanë edukuar dhe shkolluar me synimin që të merremi me to” – thotë Enva.
Dhe në fakt, të katër fëmijët e dy vëllezërve Duka, kanë studiuar në Mbretërinë e Bashkuar, përkatësisht në fusha, që sipas Envës, do të jenë në funksion të bizneseve të tyre: Enva dhe Andi në fushën e ekonomisë dhe financës, Lori në ligj dhe Kleiti në fushën e IT.
“Në vitin 2013, lind Ecomarket retail, një kompani 100% nën pronësi të Ecomarket Food. Ideja fillestare ishte për të krijuar më shumë kanale shitje për produktet që grupi prodhonte apo importonte, por gjithashtu ishte një moment për t’u shfrytëzuar për sa i përket industrisë së shitjes me pakicë: Kalimi nga kanalet informale të shitjes në shitjen me pakicë të organizuar. Pikat e shumicës kanë qenë për një kohë të gjatë zgjidhja e vetme për konsumatorin, por gradualisht po u lënë vend formave ndërkombëtare të shitjes. Sistemi i pronësisë: Janë dy aksionerë kryesorë z. Armand Duka dhe z. Agron Duka. Aiba nuk është formuar ende në formë holding të mirëfilltë, ndaj të gjitha kompanitë kanë këtë ndarje aksionerësh” – rrëfen Enva.
Pyetjes se çfarë do të donte të bënte ndryshe nga babai, Enva i përgjigjet pa hezitim: “Nuk mendoj se mund të bëjmë gjëra ndryshe, përkundrazi mendoj që të dy patën guxim në atë kohë, në vite të vështira dhe me mungesë informacioni të theksuar”.
“Por, besoj – vijon Enva – që edhe qëllimi i edukimit të brezit të radhës është për të standardizuar dhe për të zgjeruar bizneset familjare. Në kohën që Aiba filloi, ideja e pronës private dhe menaxhimit ishte e re. Shumë individë tentuan dhe patën sukses të përkohshëm me biznese private, por ata që edukuan veten dhe brezin e ardhshëm patën mundësi ta mbanin dhe ta zhvillonin”.
Në fund Enva, shton se “çka mund të bëjmë ne”, duke nënkuptuar të katër fëmijët e dy vëllezërve Duka, “është të guxojmë më tej dhe të ofrojmë ide inovatore”.
Pyetjes se a do të projektojnë në të njëjtën mënyrë si baballarët e tyre, pasionin e biznesit te fëmijët e tyre, Enva thotë se, është e vështirë për t’u projektuar, pasi sipas saj, pronësia do të bëhet edhe më e shpërndarë dhe në mënyrë të pashmangshme do të ketë një shkëputje midis pronësisë dhe menaxhimit.
Kantina Arbëri, Rigersi si gjenerata e dytë për një histori që do të vijojë…
Rigers Kaçorri është enologu i lindur në Mirditë, pasardhës i themeluesit të Kantinës së Verës “ARBËRI”. Nuk është një emër vërtet i ri në tregun shqiptar, pasi prej vitesh, ka prezantuar familjen dhe veten, si trashëgimtar i pasionit dhe biznesit njëkohësisht.
Sipas tij, dy janë gjërat që kujton nga vegjëlia në familje. E para, se vera konsumohej gjithmonë në tavolinën e familjes dhe, e dyta, rrugëtimin dhe sakrificat e të atit për të ndërtuar atë çfarë “ARBËRI” është sot.
Risjell ndër mend traditën e viteve ’95 – ’96, shumë përpara se të lindte “ARBËRI”, që në çdo sezon vjeljeje, së bashku me disa kushërinj angazhoheshin në vreshtat e familjes dhe prodhonim verë në mënyrë tradicionale. “Që në këtë moshë më lindi pasioni për verën, i cili u përforcua më shumë nga im atë, puna e të cilit ka befasuar të gjithë vizitorët në Kantinën “ARBËRI”.
Në atë kohë, edhe pse isha i vogël, qëndroja gjithmonë afër babait duke u vetofruar në marrjen e përgjegjësisë së fëmijës së madh në familje, ndërkohë që të gjithë jepnin ndihmesën e tyre. Edhe ime më, e cila ndan tjetër profesion, ka qenë mbështetëse në sipërmarrjet sfiduese të babait. Kuptoja që ishte një ëndërr e tij dhe përpos vështirësive të sistemit, vendosmëria e tij, medoemos do ta bënte të suksesshëm.
“Ne nuk kishim përvojën për të realizuar një gjë të tillë, por me punë dhe përkushtim ia dolëm” – thotë Rigersi.
“Kantina ‘ARBËRI’ është një nismë e Fran Kaçorrit që prej vitit ’98 – ’99 kur nisi ndërtimin dhe rikonstruktimin e disa magazinave që ishin në pronësi të familjes, si dhe investimin disavjeçar në vreshtat, pronësi e familjes, në zonën e Mirditës. Rreth vitit 2002, si produkt i këtij mundi, lindi Kantina ‘ARBËRI’.
Rigersi kujton se në familjen e tij pihej gjithmonë një gotë verë, kulturë e qytetit katolik të Mirditës. Përforcimi i traditës dhe dëshira për të kontribuar në biznesin e familjes, janë arsyet pse ai vendosi të ndiqte studimet e larta në degën e enologjisë në Universitetin e Bolonjës, dhe më pas specializimin në Firence, duke qëndruar për disa vite pranë Toskanës së njohur botërisht për verërat.
“Edhe pse hera-herës mendoja se po studioja për një fushë që nuk kisha shumë njohuri, lidhja e kahershme me kantinën ma lehtësoi përballjen me përvojat italiane, franceze apo spanjolle, të cilat aq sa ishin sfiduese po aq më rritën profesionalisht”.
Përpos njohurive të marra nga studimet si enolog, Rigersi tregon se me specializimin që bëri më tej, arriti të fitonte aftësi organizative dhe menaxhuese në një kantinë të prodhimit të verës, të cilat u përçuan në funksion të biznesit familjar.
“Sot Kantina prodhon verë Kallmet 100%, nga vreshta të një sipërfaqeje 25.5 hektarë në pronësi të Kantinës, por punon me një sërë familjesh mirditore, ku ka një sipërfaqe prej rreth 100 hektarësh. Prodhimi i varieteteve autoktone shqiptare është mbi 90% e prodhimit të verës Arbëri.
“Fillimet kanë qenë vërtet të vështira dhe nuk e di sa do të mundja ta ngrija nga hiçi një biznes të tillë, sikurse bëri babai. Me kalimin e viteve dhe me fitimin e përvojës, familja investoi më shumë në vreshta dhe teknologji. Synimi kryesor ka qenë përpunimi i varieteteve autoktone shqiptare, edhe pse kjo gjë në fillim dukej e pamundur, sepse varietetet tona nuk njiheshin në asnjë vend, por duhet theksuar se duke qenë autoktone, ato janë vlerë për origjinalitetin e produktit tonë”, -thotë ai.
“Nuk e mendoj të largohem apo të krijoj diçka tjetër. Besoj se puna dhe energjitë tona, e imja, vëllait dhe motrës, do të jetë në funksion të kantinës. Mendojmë se, si brez i së ardhmes, mund të shtojmë ide të reja në biznes, inovacion apo investime në sektor mbështetës për prodhimin e verës, por jo të largohemi prej tij” – thotë Rigersi, i cili që tani, projekton edhe dëshirën e idenë që edhe fëmijët e tij të rriten me të njëjtën frymë pasioni për trashëgiminë familjare.
Tafajt, kafeja e parë në Tiranë dhe pasioni për muzikën
Tafaj ishte restoranti i parë privat që u hap jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, pas 50 viteve komunizëm. Pikërisht më 22 mars të vitit 1991. Madje, ndër vite thuhet se dhe senatori i parë amerikan që erdhi asokohe në Shqipëri për t’u takuar me Ramiz Alinë, u prit pikërisht tek ‘Tafaj’. Për ta licencuar asokohe ‘çudinë’ e parë private, u paraqitën për të parë kushtet higjienike punonjësit e Shëndetësisë. Pastaj nga bashkia u dha leja dhe restoranti i parë në Shqipëri nisi nga puna. Fillimisht u shfrytëzuan ambientet e bodrumit, pasi në katet lart banonte vetë familja Tafaj. Me pajisje të thjeshta dhe angazhim të të gjithë familjarëve, të cilët mësuan profesionet e shërbimit. Aktualisht, menaxherët janë dy, Vila Tafaj, e noterit të parë në Tiranë, Jonuz Tafaj. Vila e motrave Tafaj (Rruga Tafaj, te Selvia, Shkolla Partizani) e pianistes së famshme Lili Tafaj – së fundmi kanë ndërruar jetë të gjithë motrat dhe s’kanë lënë trashëgimtar. Dhe Taverna Tafaj, që është hotel dhe vijon ta menaxhojë që në hapje, Lulzim Tafaj.
Kështu e nis rrëfimin Arjola Tafaj, një prej pinjollëve të familjes së mirënjohur tiranase. Përpos historisë së restorantit të parë privat në Tiranë dhe hotelit, që vijon të funksionojnë me kapacitet të plotë, Arjola tregon edhe një anë tjetër të familjes së saj. Ndër gjenerata, kanë trashëguar pasionin dhe talentin për muzikën, që u materializua edhe me dyqanet e para në Shqipëri të tregtimit të instrumenteve muzikore.
“Në rastin e familjes sime, babai Astrit Tafaj, ka një profesion shumë të veçantë dhe mund të jetë interesant rasti i tij. Babai është mjeshtri i instrumenteve muzikore, me një përvojë 50-vjeçare. Është specializuar dy herë në Zvicër dhe gëzon respekt të madh në komunitetin e tiranasve dhe artdashësve. Këtë zanat e ka të trashëguar edhe nga gjyshi (i ati) Ibrahim Tafaj, i cili ka pasur edhe një dyqan instrumentesh muzikore në qendër të Tiranës. Ai u specializua në Hungari për instrumentet muzikore në vitin 1955 dhe është specializuar për akordimin dhe mirëmbajtjen e pianove nga specialistë kinez, të ardhur në Shqipëri në vitin 1961. Babi është luthier, mjeshtri i instrumenteve muzikore ka një Atelie (Studio arti, riparim & shërbim i instrumenteve muzikore Piano, Violinë, Cello, Kitare). Gjithashtu ka ndikuar në pasurimin e instrumenteve profesionale folklorike, të muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme dhe jo vetëm. Edhe Adem Rreli, fotograf, ka bërë një album “antologji” me foto artistike profesionale me personalitetet që kanë ndikuar në jetën kulturore të qytetit të Tiranës” -thotë Arjola.
E pyetur se çfarë ka trashëguar nga familja, thotë se ka studiuar profesionalisht piano në Lice për 12 vjet dhe ka trashëguar pasionin për muzikën.
“Në planet e mia aktuale, është hapja e një dyqani që shet instrumente muzikore, si frymëzim nga babai. Meqë ai gëzon reputacion të mirë dhe unë jam pinjolle e pianistes Lili Tafaj, e cila me ka zbuluar në fillimet e mia talentin. Gjithashtu, u jap mësim pianoje fëmijëve ose disa miqve të mi të huaj që jetojnë në Shqipëri” – thotë Arjola.
Sindi, bijë biznesmeni dhe shefe e firmave të saj
Sindi kishte pak ose aspak pamjen e një boss-eje biznesesh, ndonëse duke marrë në konsideratë se drejton dy startup-e, një restorant dhe një qendër bukurie e mirëqenie. Xhaketa e zezë e bënte të dukej më serioze, ndonëse bisedën e kishte po aq të lirshme sa të çdo moshatareje të saj. Duke nisur bisedën nga prindërit, për të cilët Sindit i shkëlqenin sytë dhe fliste me shumë pasion për punën e tyre, pak nga “krenaria” që i buronte, pak nga malli për shumë vite që ka qëndruar larg tyre, duke studiuar jashtë. Ajo tregon se ata të dy, u takuan si studentë anglishteje, e në vijim të rrugëtimit të tyre të jetës, mamaja i qëndroi besnike profesionit të cilin e ushtron edhe sot në Katedrën e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, ndërsa babai zgjodhi të ishte ‘jashtë rryme’. Sipas saj, ai ishte i lindur për biznes dhe të qenët kokëfortë e ndihmoi të mos zgjidhte rrugën e shpejtë, që prindërit mund t’i siguronin, por të niste bizneset e tij. Gjithçka filloi, sipas saj, me një tregim që përsëritej shpesh në familje, Albani u mbyll një muaj në shtëpi duke studiuar financë. Po, po, pa dalë asnjë ditë.
E pyetur nëse e ka trashëguar ajo këtë kokëfortësi dhe këmbëngulje të të atit, Sindi përsëriste se është rritur me frymën që t’ia dalë mbanë, pavarësisht sfidave.
Kështu, lindi ideja dhe themelimi i kinemasë së parë në Tiranë, në vitin 1995. Vështirësitë, sipas saj, kanë qenë të mëdha. Duke u ndjekur edhe nga viti i 1997, ku patën dëme të mëdha, rinisja ishte sërish plot sfida. Pas kinemasë, ia doli që të ndërtonte edhe kompaninë e tij të ndërtimit dhe vite më vonë, investoi në sektorin e biznesit të argëtimit.
“Ajo çfarë më bashkon mua dhe babin është pasioni për inovacion dhe dëshira për t’u marrë me biznes. Në rritjen time, si dhe të vëllait, kemi qenë gjithnjë të pranishëm në bisedat e biznesit, në vështirësitë, problemet apo arritjet. Në mënyrë të pashmangshme kemi qenë të orientuar që në vegjëli në këtë drejtim. Ndaj, dhe unë vendosa të ndjek studimet për biznes në Mynih, në Gjermani, ku u diplomova në dy programe studimi, Administrim Biznes dhe Biznes Internacional. Gjithnjë ëndërroja të kisha një gjë timen dhe im atë na këshillonte, merrni sa më shumë përvojë jashtë dhe kthehuni që t’i vini në zbatim këtu. Të ishim në krah të tij për bizneset apo të hapnim diçka tonën. Dhe kështu ndodhi” – thotë Sindi, duke pohuar se edhe i vëllai, sapo ka mbaruar studimet për biznes.
Sindi besonte, pas mbarimit të studimeve të saj të specializuara në Londër për Real Estate, se aty ku nuk ka shumë zhvillim, ka më tepër mundësi. Ndaj, lind ideja e hapjes së kompanisë së saj të parë, Apart Hotel Tirana, një ide e ngjashme e Airbnb, për dhënie me qira ditore të apartamenteve në Tiranë.
Ajo thotë se të bësh biznes në Shqipëri të bën një ‘hero’, pasi ka shumë vështirësi: treg i vogël, fuqi e ulët blerëse, vështirësi politike, burokratike etj. Megjithatë, qëndron këtu dhe planet e saj të bizneseve nuk përfundojnë me kaq. Startup i saj i parë, Apart Hotel Tirana ishte bashkëpunimi i parë me babin, pasi apartamentet e pashitura sporadikisht në Tiranë, ajo i vendosi në funksion të kompanisë së saj të qirave ditore. Më vonë, hapi një tjetër startup, Turbo, e cila funksionon si një ‘fast delivery service’ i produkteve nga të gjithë sektorët në Shqipëri: lule, farmaci, ushqim, veshje etj.
E pyetur se çfarë do të bënte ndryshe nga i ati, Sindi shpjegon se për të, babi është “truri, vizioni”, ndërsa ajo dhe i vëllai, misioni, që vendosin në zbatim idetë. Megjithatë, sipas saj, të rinjtë, ndryshe nga brezi i mëparshëm kanë në dorë që të sjellin më tepër inovacione, duke jetuar në një kohë ku teknologjia po zhvillohet ende më shumë.
Mungon kultura e trashëgimisë. Rasti i Bullgarisë
Në rastin më të zakonshëm në Shqipëri, ku mosha e biznesit, e sipërmarrësve, por edhe e fëmijëve të tyre është e re, një transferim përmes brezash do të ishte, në fakt, një strategji me një afat shumë të gjatë. Dhe një strategji e tillë është sërish e rrezikshme: Shansi që sipërmarrësi të ketë shëndet të mirë për të menaxhuar një biznes torturues në të shtatëdhjetat, pa dyshim që nuk është 100%, vetëm në rast se do të ketë ndonjë plan mbështetës.
Ka një mit që qarkullon, që gjenerata e parë themelon një biznes, e dyta e shpenzon atë, ndërsa e treta, e shkatërron.
Histori të tjera
Jo rrallë, në Shqipëri hasim biznese të vogla që kryesisht u trashëgohen fëmijëve. Dikur, këpucarët, farmacistët, argjendarët trashëgoheshin nga njëri brez në tjetrin, duke u ruajtur kultura, emri dhe tradita. Mirëpo, me kalimin e viteve, shumë fëmijë iu shmangën kësaj rruge, në përpjekje për të ndërtuar emrin e tyre, për të ndjekur një ëndërr, apo në rastin e bizneseve të vogla, për të marrë një shkollim tjetër. Në traditën shqiptare, bizneset e mëdha familjare priren që të përfshijnë fëmijët në to. Rastet nuk mungojnë.
Pirro Argjendari, tradita trashëgohet tek e bija
Në mbretërinë e shumë emrave shqiptarë, Pirro Argjendari krijoi vendin e tij në këtë biznes, në krah të të cilit prej më shumë se dy vitesh është e bija, synimi i së cilës, ndërthurur me një sfond edukimi anglosakson, është të sjellë frymën e re, mbështetur në traditën e vjetër.
Hasnije Kasneci dhe i biri, ABA Center
Një ndër qendrat tregtare kryesore në Tiranë, ku drejtuesit kanë projektuar dhe përfshirë fëmijët e tyre në menaxhim. I tillë është rasti i ABA Center. Dhjetë vjet përvojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndihmuar zonjën Kasneci për të parë me një sy më realist tregun shqiptar. Përvojat e mëparshme dhe koha në dispozicion do ta ndihmonin të angazhohej plotësisht për administrimin e kësaj qendre tregtare, duke kontribuar në të njëjtën kohë me të gjitha aftësitë që mund të ketë një grua ambicioze. Në këtë përvojë e ndihmon edhe djali i saj, Kreshniku.
Gener 2 dhe familja Ulaj
Kompani ndërtimi e njohur në Tiranë, biznes që drejtohet dhe menaxhohet nga anëtarët e familjes Ulaj, ku dhe z. Bashkim mban postin e drejtuesit.
Behar Male dhe e bija
Ai vjen nga një sektor siç është ndërtimi, por ka edhe përvojë të gjatë akademike. Si administrator i përgjithshëm i TID Albania, ai dallohet për korrektësinë dhe saktësinë në punë, si dy aspekte që i ka veçuar gjithmonë.
E bija, drejton qendrën “Nobis”, si dhe një tjetër qendër Spa pranë Plaza Hotel, duke treguar kështu se suksesi nuk ka ardhur rastësisht.
Shefikat Ngjela dhe të bijtë
Ajo është një nga gratë e suksesshme të botës së biznesit. Të dy fëmijët i ka angazhuar në menaxhimin e sipërmarrjes. Djali i saj, Teodori, administron ‘Bar Austria’, ndërsa vajza, Ersi, ka profilin e financieres. Ajo ka tentuar të hyjë edhe në botën e modës, duke u bërë pjesë e pasarelave.
Balkan Sport, ekskluziviteti i veshjeve të sportit, bashkimi baba e bijë
Klodiana Kumi është në krah të të atit në biznesin familjar, i cili ka bërë të mundur sjelljen dhe tregtimin në Shqipëri të markave të sportit Adidas dhe Reebok. Ata thonë se menaxhimi brenda familjes është një çelës që zgjidh dhe parandalon çdo vështirësi.
Stefan Pinguli dhe e bija
Emri i saj është një nga markat e njohura të birrës, e prodhuar në vend, por Stela nuk ka zgjedhur të futet në këtë sektor, pasi i është dedikuar krijimit. Ajo drejton një agjenci marketingu, duke ndihmuar kompaninë të ketë një imazh cilësor.
Gjoka Konstruksion, si babai, edhe i biri
Nga i ati tek i biri, biznesi i ndërtimit vijon të mbetet në formën më të mirë, sidomos në momentet kur menaxhimi bëhet bashkërisht. Ata nuk i gjen të dy në zyrë, ose i gjen fare pak, por më tepër në terren, duke u përpjekur që të prekin me dorë punën e përditshme dhe gjithashtu, të gjenden më pranë punonjësve, të shumtë në numër.
Rrok dhe Erind Gjoka, tregojnë se bashkëmenaxhimi është shumë i frytshëm në drejtim dhe madje, krijon besimin që nuk e gjen, veçse në familje.
“Fusha e ndërtimit është specifike dhe kërkon angazhim, përkushtim dhe rregullsi” – pohojnë ata, gjë që e kanë kultivuar dhe përpiqen ta ruajnë, po në familje.
Bora Kokëdhima:
‘Rebelja’ e familjes Kokëdhima, Bora, shquhet për personalitetin e saj ekstrovert dhe ndër të tjera, për brandin e saj të veshjeve autentike, të cilin ia ka dalë ta prezantojë me shumë sukses në tregun shqiptar dhe jashtë.
/Monitor


