Bizneset shqiptare do të përfshihen në një program të ri mbështetjeje për t’u përgatitur për standardet europiane, ndërsa qeveria synon të përdorë edhe instrumentet e financimit për të mbuluar kostot e certifikimeve që kërkohen për hyrjen dhe konkurrimin në tregun e Bashkimit Europian.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se së shpejti do të nisë një program në bashkëpunim me agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, që do të synojë informimin, trajnimin dhe vlerësimin e nivelit të përgatitjes së kompanive shqiptare për standardet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes, të njohura si ESG.
Duke folur në konferencën “Turn ESG into Business Value: From Commitment to Competitive Advantage”, organizuar në Tiranë, Ibrahimaj tha se këto standarde po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme me avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Sipas saj, kërkesat ESG nuk kufizohen vetëm te çështjet mjedisore. Ato prekin raportimin, kontabilitetin, qeverisjen dhe në tërësi mënyrën se si kompanitë organizojnë aktivitetin e tyre.
“Disa vite më parë, ESG dukej disi e largët, diçka që nuk na shqetësonte, diçka shumë larg realitetit shqiptar, por ne po ecim përpara dhe po ecim drejt BE-së”, tha Ibrahimaj.
Programi i paralajmëruar nga Ministria pritet të funksionojë në disa faza. Fillimisht bizneset do të informohen dhe trajnohen për kërkesat që duhet të përmbushin, më pas do të vlerësohet niveli i tyre aktual i përgatitjes dhe, mbi këtë bazë, do të përcaktohen format e mbështetjes që u nevojiten.
Ministrja e lidhi këtë proces drejtpërdrejt me konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Për kompanitë vendase, përshtatja me standardet europiane nuk do të jetë vetëm një detyrim që buron nga afrimi me BE-në, por edhe një kusht për të hyrë në tregje të reja dhe për t’u integruar më shumë në zinxhirët europianë të biznesit.
“Përmbushja e standardeve, sigurisht, nuk ka të bëjë vetëm me respektimin e legjislacionit apo me plotësimin e kutive. Ka të bëjë me të qenit më konkurrues. Ka të bëjë me hyrjen në tregjet europiane. Ka të bëjë me përfitimin e avantazhit të të parëve që lëvizin”, deklaroi Ibrahimaj.
Një nga problematikat për bizneset është edhe kostoja financiare e përshtatjes dhe certifikimit. Për këtë arsye, Ibrahimaj përmendi skemën “Dyfisho Biznesin”, përmes së cilës kompanitë mund të aplikojnë për kredi me normë interesi 2%, ndërsa 70% e kolateralit mbulohet nëpërmjet garancisë sovrane.
Sipas ministres, një prej objektivave është që ky mekanizëm të përdoret edhe për financimin e certifikimeve, duke u krijuar mundësi kompanive të përmbushin standardet që kërkohen për të operuar dhe konkurruar në tregjet europiane.
Paralelisht, Banka Shqiptare e Zhvillimit po përgatit një program të ri mbështetjeje dhe financimi, i fokusuar te bizneset shqiptare që duhet të përshtaten me kërkesat që sjell integrimi në tregun europian.
Ibrahimaj kërkoi që procesi të mos mbetet vetëm përgjegjësi e institucioneve publike. Ajo u bëri thirrje kompanive që kanë më shumë përvojë me standardet ESG të ndihmojnë në shpërndarjen e njohurive dhe në mbështetjen e bizneseve që janë ende në fazat e para të përshtatjes.
