Një qytetar denoncoi në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut se një tjetër kryebashkiak ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit se ka qenë i ndaluar.
Dosja.al shkruan se bëhet fjalë për kryebashkiakun e Pogradecit Ilir Xhakolli. Sipas denoncimit, në periudhën që ai ka punuar si doganier në vitin 1996 është ndaluar për kontrabandë, por ka mundur të fshihet, dhe këtë fakt e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.
Çfarë tha mbrëmë Fevziu: Zoti Fevziu ju përshëndes kam diçka me interes për kryetarin e Bashkisë… më jep dhe emrin…ka punuar doganier nga viti 1992deri në vitin 2005 në filan vend. Në nëntor-dhjetor 1996 është ndaluar nga policia për kontrabandë është ndaluar së bashku me filanin, doganier filanin kontrollor filanin, polic filanin dhe ky pesoni. Atëherë u fsheh dhe fizikisht nuk u ndalua. Dosjen e ka o në arkivin e prokurorisë o në polici. Në formularin e dekriminalizimit nuk e ka deklaruar, ka ndryshuar edhe emrin bashkë me mbiemrin nga filani e ka bërë filani… Dhe më ka çuar dhe formularin.
Dosja.al ka kontaktuar Xhakollin i cili e ka mohuar të jetë ndaluar nga policia. “Kam kontaktuar me Fevziun, e kam sqaruar. Ai duhet të bëjë përgënjeshtrim. Asgjë nga ato që ai tha nuk janë të vërteta.”-tha Xhakolli.
I pyetur se pse e ka ndryshuar emrin, Xhakolli tha nxitimthi: Emrin e kam ndryshuar dhe e pranoj, e kam deklaruar edhe në formularin e dekriminalizimit, nuk kam asgjë për të fshehur. Emrin e kisha Ilirjan Xhago, e kam Ilir Xhakolli, pasi ma ngatërronin në shkollë dhe në diplomat që kam marrë.
Është pak e vështirë për t’u kuptuar sesi mund të ngatërrohet emri nga Ilir në Ilirjan, apo mbiemrin nga Xhago në Xhakolli. (!), kur të përbashkët dy fjalët kanë vetëm rrënjën.