Një nga të plagosurit në Vlorë mbrëmjen e sotme që dyshohet se ka qenë edhe shënjestra e atentatit është Nikollaq Çepaj (Taullaraj). Ai sapo kishte dalë nga burgu, vetëm tre ditë më parë, pasi në 8 qershor të vitit 2018 u arrestua për plagosjen me armë zjarri të Eraldo Lazajt brenda një lokali në lagjen ‘Pavarësia’. Por pas daljes nga burgu, iu bë atentat dhe tashmë ndodhet i plagosur në spital. Pista e parë që po hetohet është hakmarrja.
Informacion paraprak:
Rreth orës 18:22, në lagjen “Bashkimi” Vlorë, në një lokal dyshohet se pas një konflikti të çastit kanë mbetur të plagosur me armë zjarri shtetasit N.Ç 36 vjeç dhe R.Ç., 27 vjeç me banim në Vlorë, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.
Autorët dyshohet se mund të jenë larguar me një automjet ku në ndjekje të tyre janë vënë disa grupe policore.
Njëkohësisht janë ngritur disa pika kontrolli në rrugët dalëse të qytetit dhe po kontrollohet e gjithë zona me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
