Illyrian Guard, kompania që zotërohet 100 për qind nga aksionet e shtetit shqiptar dhe Ministria e Brendshme ka kërkuar të marrë me qira 51 mjete për një afat katër vjeçar, e fondi limit i vënë në dispozicion për këtë është plot 1.2 milionë euro.
Illyrian Guard që ofron shërbime me pagesë ndaj palëve të treta publike ose private për në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.
Sipas revistës Monitor, referuar specifikimeve teknike shihet se kërkohen së pari 9 automjete me motor 1.2 benzinë dhe që duhet të jenë me zero kilometra.
Së dyti kërkohen 10 automjete me motor 1.6, naftë edhe këto me zero kilometra. Një grup tjetër prej 9 automjetesh kërkohet me një motor 1.4 benzinë. Pjesa më e madhe e flotës prej 23 automjetesh kërkohen SUV me kilometrazh zero, motor 2.0-2.2 naftë.
Edhe pse specifikimet e automjeteve janë për katër kategori të ndryshme me vlera të ndryshme nga njëra tjetra një mesatare e përllogaritur në bazë të fondit limit dhe numrit të automjeteve rezulton se në krye të katër viteve kompania do të paguajë rreth 23 400 euro për secilën prej tyre.
“Qëllimi i procedurës është pajisja e strukturës dhe personelit të IG, me mjete transporti bashkëkohore, të sigurta e të përshtatshme për larmishmërinë e terrenit ku do operohet, të cilat ofrojnë kushte optimale pune për të mundësuar kryerjen sa më efikase të detyrave dhe ngarkesën e punës që mbart shërbimi i kompanisë” thuhet në dokument
