Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme nisi hetimin e thelluar ndaj Kryetarit të Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra i cili po konsumon mandatin e dytë në krye të kësaj bashkie, i kandiduar nga PS-ja. Lajmi për hetimin ishte befasi për shkak se ndaj Gurrës nuk është artikuluar ndonjë akuza publike nga PD, siç ka ndodhur me kryebashkiakët e mëparshëm. Bëhet fjalë për një kallëzim të bërë në Prokurorinë e Përgjithshme më datë 31 Janar 2020 nga përgjegjësi i auditimit në Bashkinë e Librazhdit, Rexhep Hana. Hana kërkon që të hetohet eprori i tij, Gurra pasi ka mashtruar me formularin e Dekriminalizimit. Sipas padisë në vitet 2007-2008, Kastriot Gurra ka falsifikuar vulën e Drejtorit të Ujësjellësit në Librazhd. Asokohe kishte nisur një proces hetimor, dhe Gurra ishte shpallur në kërkim, por nuk u arrestua asnjëherë.
Mirëpo, në një prononcim për abcnews.al Hana e ka mohuar një gjë të tillë. Ai është shprehur se nuk është e vërtetë dhe se asnjë moment nuk ka bërë padi penale për eprorin e tij
“Nuk është e vërtetë, pasi unë në asnjë moment nuk kam bërë padi penale për eprorin tim, Kastriot Gurra. Sa për shoqatën unë nuk e di nga del ky emër, as nuk jam pjesëmarrës, as nuk e di kush është. Për këtë akuzë që më është bërë unë së shpejt do t’i drejtohem drejtësisë,”- shprehet ai.

