Me lotët në sy që nuk i reshtin në shumicën e intervistës, gruaja e familjes Beu në zonën e Vorës , apelon për ndihmë në mikrofonin e Fax News, pasi shtëpia e saj u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit, dhe iu shpall e pabanueshme.
Ajo tregon se për më shumë se dy muaj qëndron me dy fëmijët e saj në çadër, dhe ajo çfarë është më e keqja, nuk është përfshirë në asnjë skemë që të mund të rikonstruktohet banesa e saj. Shkak për këtë është bërë mungesa e certifikatës së pronësisë së objektit, që është blerë fillimisht nga kunati i saj në vitin 1994.
Duket se kjo godinë ka qenë pronë shtetërore, dhe për këtë shkak ajo është përjashtuar dhe nga procesi i legalizimit.
Tashmë kjo nënë, e gjendur përballë një fakti të tillë, sot se i ka kthyer sytë nga qeveria, që në mënyrë apo në një tjetër të gjejë një mënyrë për ta ndihmuar, pasi të ardhurat e familjes janë minimale, me bashkëshortin që emigron jashtë vendit me kohë të pjesshme, dhe me atë të papunë, për shkak se i duhet të kujdeset për fëmijët.
“U tmerrun fëmijët dhe vetë nga tërmeti, unë kam shkuar të nesërmen denoncimin që më është dëmtuar shtëpia, më thanë që shko prit aty.Pas një jave shtëpinë e shpallën të pabanueshme, u kam kërkuar çadër dhe jo bonus qeraje, se nuk kisha se ku shkoja. Tani më thonë që nuk më hyn në punë certifikata, kjo ka qenë godinë shtetërore, dhe një pjesë ishte privatizuar.Kjo banesë është blerë në vitin 1994 nga kunati im, unë bëj 11 vite që i kam gjetur këtu. Unë nuk kam shti gjë vetë, unë nuk kam certifikatë pronësie, dhe nuk më kanë dhënë asgjë. Më kanë thënë që nuk fitoj asgjë, deri në 28 Shkurt më kanë thënë që të gjej letrat, ose të legalizimit, ose certifikatën, sdo fitosh asgjë më thonë.
Ka qenë shumë e vështirë se krejt ujti futet brenda, frika më e madhe është kur fryn erë, nuk mund të hahemi me natyrën, u detyrova dhe iu thirra ju si televizion që të shihnit hallin tim, vetëm për këtë letër që më mungon smë japin asgjë.Kur bie shi rri aty në shtëpi, rrezikoj fëmijët, por çfarë të bëj, ku të shkoj tjetër, nëpër lagjje shkohet një natë, nuk mund të shkosh përherë.
Bashkëshorti ska ça bën shkon dhe vjen me tremuaj punë jashtë vendit, unë skam ku shkoj, smund ti lëj në rrugë. Më mirë haj bukë dhe vaj, sesa të abuzojnë të tjerët me fëmijët e mi, kam bërë apel gjithandej, në ministri kudo, po më thonë zonjë nuk mund ta shkel ligjin për ty, vetë nuk mundem ku të shkoj. Jam e shkatërruar nga ana psikologjike, ku skam shkuar që të gjej letrat, po smë kanë dhënë asgjë. Nuk ka më afat për mua për ndihmesë. Nuk kam aplikuar dot fare, se nuk kam letrën, po nuk pate legalizimin sfutesh dot më thanë.
Unë I bëj thirrje qeverisë që të vërë dorën në zemër për mua, të më fusin kokën Brenda mu dhe fëmijëve, nuk po du tokë, vajzën e kam 9 vjeçe, djalin 5. Nuk kam zgjidhje, i bëj thirrje me më ndihmu, nuk kam ku të shkoj, ku të futem,. Ku të shkoj me qera, qeraja është shumë e shtrenjtë, unë për vete I kam humbur shpresat se nuk di më ku të shkoj.Më janë prerë krahët krejt, nuk humb kush punën me më ndihmu mu, vetëm Zoti dhe vetëm zoti Rama mund të më ndihmojnë mua, nuk mundem më”, shprehet banorja.