Të premten e shkuar në mbledhjen e radhës së Akademisë së Shkencave ka pasur debat të gjerë lidhur me plagjiaturën. Debati erdhi pas postimit të Taulant Mukës për një studim që mban pronësinë e Akademisë së Shkencave, por që në fakt ka qenë i marrë tërësisht copy-paste nga një studim i NATO-s, ku autorë janë dhe dy sizmologë shqiptare.
Burime për tirananews.al bëjnë të ditur se disa anëtarë të Akademisë kanë reaguar ashpër lidhur me këtë plagjiaturë ndërkohë që recensenti tekstit, i cili është ndërkohë dhe anëtar i njësisë së ngritur nga ASH për kërkim-studimin në fushën e gjeofizikës dhe sizmologjisë, është justifikuar se nuk është plagjiaturë, por është marrë nga interneti dhe nga ana e NATO-s nuk ka ankesë për këtë.
Bëhet fjalë për librin “Baza teorike e zbatimit të metodave sizmike dhe gravimetrike” i botuar nga Akademia e Shkencave në vitin 2018, ku sipas Mukës gjen materiale të kopjuara 100% nga studimi i NATO-s mbi “Hartën e rrezikut sizmik në Ballkanin Perëndimor”.
“Edhe pse projekti i NATO-s citohet, eshte e patolerueshme qe Akademia e Shkencave boton fjale per fjale nje studim te nje projekti tjeter, dhe jo studimin e saj te pavarur, duke treguar mungesen e ekspertizes dhe paaftesise ne kerkimin shkencor. Poshte mund te gjeni disa nga shume faqe te kopjuara, ne te cilat duke qarte jo vetem “plagjiatura”, por edhe nje perkthim qe te le shume per te deshiruar!”, do të shkruante Muka. (Vijon poshte fotos..)

Studimi i NATO-s për të cilin flasim ka një rëndësi të veçantë pasi do të shërbente për autoritetet kombëtare, institucionet publike dhe private, emergjencat civile agjencive, etj., për planifikimin urban, përgatitjen e katastrofave dhe zbutjen e rreziqeve sizmike.
Lexo edhe- Studimi i sizmologëve shqiptarë 10 vite më parë, rreziku sizmik dhe çlirimi i energjisë
Vetë prof. Neki Kuka, i Departamentit të Sizmologjisë dhe një nga autorët e botimit të NATO-s mbështetur pikërisht në këtë studim përmes një raporti për Shoqatën e Tërmeteve ka shpjeguar qartë se çfarë duhet bërë pas tërmetit dëmtues të 26 nëntorit.
Lexo edhe- Post-tërmet, çfarë propozojnë ekspertët sizmologë: Hartë e re sizmike!
Tërmeti i 26 nëntorit “zgjoi” dhe Akademinë e Shkencave e cila aktualisht ka ngritur njësinë e kërkim-studimit në fushën e gjeofizikës dhe sizmologjisë.
Kjo njësi u ngrit në mbledhjen e kryesisë së ASH-së mbështetur në ligjin “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, me propozim të prof. Shyqyri Aliaj dhe pëlqimit të Seksionit të Shkencave Natyrore e Teknike. Kjo strukturë do të ketë 6 muaj kohë për tu përgatitur për evidentimi i akteve për bërjen efektive e detyruese ligjërisht të rezultateve të studimit të kryer nga prof. Shyqyri Aliaj, Eduard Sulstarova, Siai Koçiu e Betim Muço brenda një periudhe 2-3 mujore. Më tej njësia do të vazhdojë me hartimin e propozimeve konkrete për masat që duhen marrë nga Këshilli i Ministrave e institucionet përkatëse për të kryer zbatimin e plotë të eurokodeve për ndërtim në Shqipëri.
Tirananews.al kontaktoi me Akademinë e Shkencave lidhur me një qëndrim përsa i përket një botimi të tillë të dalë prej saj, një libër me të cilën mësojnë edhe studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës dhe ende nuk ka marrë një përgjigje. Çështja e plagjiaturës në studime doktorature dhe jo vetëm është rikthyer në interesin e qeverisë, teksa pak kohë më parë MASR ia delegoi universiteteve procesin e kontrollit të plagjiaturave./ tirananews.al