Policia e Shtetit ka publikuar të dhënat e tre personave të tjerë të shpallur në kërkim nga Njësia e Kërkimit.
I pari është një i dënuar me burg përjetë, Flamur Ndino i cili në datën 4 qershor 1995, në qytetin e Fierit, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka rrëmbyer me qëllim trafikimi fëmijën e mitur J. L., 3 vjeç, banues në Fier.
Ndino është dënuar me burgim të përjetshëm, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Rrëmbimi i fëmijës, i kryer në bashkëpunim”.

I dënuari tjetër me burg përjetë është Misir Tare.
Në datën 30 maj 1993, në fshatin Pashalli, Berat, shtetasi Misir Tare ka kryer vrasjen e L. T, bashkëshortja e tij dhe të prindërve të saj, Xh. D dhe A. D.
Misir Tare është dënuar me burgim të përjetshëm, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Vrasja e trefishtë”.

Besnik Coka, i dënuar me 25 vjet burg
Në datën 25.08.1997, në vendim e quajtur “Ura e Setës”, në Dibër, Besnik Coka, në bashkëpunim me persona te tjerë, ka vrarë punonjësin e policisë M. K.
Besnik Coka është dënuar me 25 vjet burg, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
