Korrektësia dhe vëmendja tek detajet kanë qenë virtytet që e karakterizojnë Ditmir Bushatin gjatë kohës kur ka qenë në detyrë. E këto virtyte nuk kanë të bëjnë me postin por njeriun, pasi këto detaje nuk kaluan pa u vënë re as sot, kur Bushati zyrtarisht dorëzoi postin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme tek Edi Rama, post që e mbajti saktësisht për 5 vite e katër muaj.
Në profilet e tij në rrjetet sociale bie në sy edhe përshkrimi që i bën vetes Bushati. Në Twitter deri sot në gjuhën angleze shkruhej: “Baba dhe bashkëshort. Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë”.
Prej sot, profilin mjaft aktiv të Bushatit do e shohim me përshkrimin “Baba dhe bashkëshort. Deputet i Parlamentit. I angazhuar për Europën dhe Multilateralizmin. Ish ministër për Europën dhe Punët e jashtme të Shqipërisë”.
Edhe në Instagram, përshkrimi i detajeve ka ndryshuar, duke lënë për momentin vetëm “Baba dhe bashkëshort”.
E jo më kot ekziston shprehja që detajet bëjnë diferencën dhe syrit të ish ministrit të Jashtëm nuk i shpëtojnë as këto detaje korrektese.
