Anxhelo Avdia, një nga viktimat e atentatit të djeshëm në Shkozet të Durrësit kishte dhjetë ditë që kishte ardhur nga Anglia.
Familjarët e tij kanë thënë për News 24, se nuk ishin në dijeni të ndonjë konflikti apo hasmërie të 24-vjeçarit.
“Prej 10 ditësh ishte kthyer nga Anglia. Ne nuk dimë të kishte konflikte apo hasmëri. Kanë një vëlla dhe një motër, janë rritur pa baba. Motra me nënën jetonin vetëm, ndërsa vëllai jetonte në Gjermani. Familja ishte në mjerim të plotë”, -thanë familjarët e viktimës.
Mbrëmjen e djeshme Anxhelo Avdia dhe Dorian Shkoza u qëlluan nga një makinë në ecje në lagjen nr.14, në Shkozet, e cila u gjet e djegur në zonën e njohur si Bishti i Zhurit në Rrogozhinë. Mësohet se Avdia ka ndërruar jetë në spital pas plagëve të marra, ndërsa Shkoza ka vdekur në vend. Të dy rezultojnë me precedentë penalë për vjedhje dhe njihen si konsumatorë të lëndëve narkotike.